Homazhet për Kryepeshkopin Anastas, në Tiranë

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë vijojnë homazhet për Kryepeshkopin Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta mëngjesin e së shtunës në Athinë.

Besimtarë të shumtë kanë mbushur ambientet e kishës, duke i dhënë lamtumirën e fundit figurës së njohur të ortodoksisë shqiptare. Kisha ka qëndruar e hapur gjatë gjithë natës për t’u mundësuar qytetarëve pjesëmarrjen në këtë moment solemn.

Ceremonia mortore do të mbahet nesër në orën 11:00, pas përfundimit të Liturgjisë Hyjnore. Në respekt të amanetit të tij, Kryepeshkopi do të prehet në një vend të posaçëm brenda kishës ortodokse. Për nder të tij, klerikët po mbajnë shërbesa përshpirtjeje pa ndërprerje deri në momentin e varrimit.

Arkëmorti me trupin e pajetë të Kryepeshkopit mbërriti në Shqipëri një ditë më parë përmes pikës kufitare të Kakavijës, ku u organizua një ceremoni nderimi nga autoritetet greke. Ndërkohë, Kisha Ortodokse në Shqipëri po kalon ditën e pestë të zisë kishtare, duke reflektuar mbi trashëgiminë e Anastas Janullatos në udhëheqjen shpirtërore të komunitetit ortodoks.

Tirana është kthyer në epiqendrën e botës së krishterë, pasi në ceremoninë e 30 janarit pritet të marrin pjesë personalitete të larta fetare dhe shtetërore. Delegacione nga e gjithë bota do të vijnë për të nderuar Kryepeshkopin, mes tyre edhe një përfaqësi e Vatikanit e drejtuar nga Sekretari i Shtetit.

Nga Greqia, Kryeministri, i shoqëruar nga një delegacion i gjerë qeveritar, ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë ngjarje të rëndësishme. Po ashtu, pritet të jenë të pranishëm Patriarku i Kostandinopojës, ai i Jerusalemit, Kryepeshkopi i Greqisë, si dhe përfaqësues të lartë nga kishat e Qipros, Aleksandrisë, Bullgarisë dhe Rumanisë.

Në këtë homazh të fundit për Kryepeshkopin Anastas do të marrin pjesë edhe drejtues të organizatave të njohura fetare si “Saint Egidio”, Këshilli Botëror i Kishave dhe përfaqësues nga unioni “Fetë për Paqen”. Delegacione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera do të jenë gjithashtu të pranishme, duke e shndërruar këtë ceremoni në një simbol të unitetit dhe respektit ndërfetar.

Ndërkohë, autoritetet shqiptare kanë marrë masa për menaxhimin e trafikut dhe sigurinë, për shkak të numrit të lartë të pjesëmarrësve dhe personaliteteve që do të jenë në kryeqytet. Për disa ditë, rrugët pranë Katedrales “Ngjallja e Krishtit” do të kenë devijime të përkohshme për të lehtësuar qarkullimin.

Me këtë ceremoni, komuniteti ortodoks dhe gjithë Shqipëria i japin lamtumirën një figure që la gjurmë të thella në historinë fetare dhe shoqërore të vendit, duke kontribuar në forcimin e dialogut ndërfetar dhe në rikthimin e kishës ortodokse shqiptare në identitetin e saj të plotë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin: