Vendi i parë i NATO-s që kontribuon për furnizimin me armë amerikane të Ukrainës për të forcuar mbrojtjen kundër agresionit rus.
Holanda njoftoi të hënën një kontribut prej 500 milionë eurosh për blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane, duke u bërë vendi i parë i NATO-s që merr pjesë në mekanizmin e ri të furnizimit të Ukrainës me armë.
Ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans, deklaroi në një postim në rrjetin social X se kjo paketë përfshin sisteme armësh amerikane, përfshirë pjesë rezervë dhe raketa Patriot, për të përmirësuar kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës.
Shefi i NATO-s dhe ish-kryeministri holandez, Mark Rutte, përshëndeti vendimin dhe bëri thirrje që edhe vendet e tjera anëtare të aleancës të bashkohen në këtë nismë, të quajtur Nisma e NATO-s për Listën e Kërkesave të Prioritizuara të Ukrainës (PURL).
Rutte theksoi se qëllimi është t’i sigurohet Ukrainës mbrojtja urgjente që i nevojitet për të përballuar agresionin rus, duke rritur kapacitetet e saj ajrore dhe ushtarake.
Sipas NATO-s, kjo iniciativë e re do të koordinohet nga aleanca dhe do të ndahet në paketa prej rreth 500 milionë dollarësh secila, të financuara nga vendet evropiane dhe Kanadaja.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mirëpriti vendimin, duke theksuar se kjo ndihmë do të forcojë mbrojtjen jo vetëm të Ukrainës, por edhe të gjithë Evropës kundër kërcënimit rus.
Në rrjetin social X, Zelensky shprehu mirënjohjen e thellë ndaj Holandës për mbështetjen e saj të rëndësishme në forcimin e mburojës ajrore të vendit të tij.


