Juristi dhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka bërë një reagim të fortë pas deklaratës së ish-kryeministrit Sali Berisha, se “Vila 31” në zonën e Bllokut, e njohur edhe si vila e Enver Hoxhës, u sulmua qëllimisht me molotovë nga protestuesit sepse kishin dijeni se aty ndodhej Edi Rama.
Manjani thekson se në kushtet kur Sali Berisha ka pranuar vetë se ka patur dijeni për këtë rast dhe ka lejuar që vila të sulmohej, tregon se ai kërkon eleminimin fizik të kundërshtarit dhe në kushtet kur ka ndërmarrë veprime konkrete për këtë, çështja duhet t’i takojë drejtësisë.
“Sigurisht, ky është standardi më i ulët i mundshëm i të bërit politikë. Kur të shkon në mend të vrasësh kundërshtarin, quhesh vrasës jo më politikan”, shkruan ish-ministri i Drejtësisë.
Gjithashtu, Ylli Manjani thotë se me deklaratat e tij publike, Sali Berisha ka treguar se ka dijeni dhe kontroll të plotë mbi çdo episod dhune që zhvillohet përgjatë protestës së thirrur prej tij.
“Pas këtij deklarimi, Berisha nuk mund të thotë dot më se nuk e di se ç’bëjnë protestuesit (lojë e vjetër kjo për t’iu fshehur përgjegjësisë), sepse ata janë nën komandën e drejtimin e Tij. E pranon vetë 100% këtë gjë”, vijon reagimi.
Deklarimi i Sali Berishës “hodhëm molotov tek vila 31 (e Enverit) se e dinim që aty është Edi Rama”, tregon dy gjëra themelore:
Ai ka dijeni dhe kontroll të plotë mbi çdo episod dhune që zhvillohet përgjatë protestës së thirrur prej Tij. Pas këtij deklarimi, Berisha nuk mund të thotë dot më se nuk e di se ç’bëjnë protestuesit (lojë e vjetër kjo për t’iu fshehur përgjegjësisë), sepse ata janë nën komandën e drejtimin e Tij. E pranon vetë 100% këtë gjë.
Kërkon të eleminojë fizikisht Kryeministrin e vendit dhe kundërshtarin e Tij politik, me djegie për së gjalli.
Sigurisht, ky është standardi më i ulët i mundshëm i të bërit politikë. Kur të shkon në mend të vrasësh kundërshtarin, quhesh vrasës jo më politikan. Aq më tepër kur kryen veprime konkrete për këtë gjë…. Të paktën ai neni për Sigurim Kushtesh për vrasje të këput… Është nen i përdorur masivisht sot nga drejtësia penale…
Nesje, se fjala (as ajo e doktorit) mort nuk bën, por sjellja e ka një emër. Dhe ky emër nuk ngjan si veprimtari politike me thënë të drejtën.