Prej katër vitesh, Klodist Xhulaj nga fshati Peshtan në Fier qëndron i paralizuar në shtrat, pas një aksidenti të rëndë që i ndryshoi jetën përfundimisht dhe e la familjen përballë vështirësive të mëdha financiare dhe sociale.
Në moshën 34-vjeçare, Klodist Xhulaj u përball me një tragjedi që i ndau përgjithmonë nga jeta aktive. Teksa punonte për të mbledhur ullinj, ai humbi ekuilibrin dhe ra nga një lartësi, duke pësuar dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore. Që prej asaj dite, Klodisti është i paralizuar dhe i lidhur pas shtratit, pa asnjë mundësi shërimi, ndërsa familja e tij përjeton çdo ditë sakrifica të mëdha.
Të ardhurat e familjes janë të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet e përditshme dhe kujdesin shëndetësor që kërkon gjendja e Klodistit. Për të qenë më pranë shërbimeve spitalore, prej dy vitesh familja është zhvendosur me qira në Fier. “Kemi aplikuar për banesë sociale, por ende nuk plotësojmë kushtin për certifikatën e pronësisë në Peshtan, pasi prona është në proces legalizimi,” – tregon Klodisti, duke apeluar që procesi të përshpejtohet.
Pesha më e madhe e sfidave bie mbi Brikenën, bashkëshorten e Klodistit, e cila u përball me këtë fatkeqësi të madhe vetëm një vit pas martese, kur sapo kishte sjellë në jetë djalin e tyre të parë. Brikena, pa u dorëzuar, kujdeset çdo ditë për të shoqin dhe djalin e vogël, duke u bërë shtylla kryesore e familjes në këto kushte të vështira.
Edhe nëna e Klodistit, Zonja Xhulaj, apelon fort për ndihmë nga institucionet. Sipas saj, jetesa në Fier është jetike për të birin, pasi vetëm pranë spitaleve mund të marrë kujdesin mjekësor të domosdoshëm. “Shpresojmë që të na ndihmojnë me një banesë sociale,” shprehet ajo, duke theksuar domosdoshmërinë e një strehimi të sigurt.
Në këtë situatë të rëndë, Klodisti gjen forcë tek familja dhe, ndonëse jeta në shtrat është shumë e vështirë, ai e konsideron bekim që mund të shohë djalin e tij të rritet dhe të përjetojë momentet e vogla të lumturisë.
Historia e familjes Xhulaj është një thirrje për solidaritet dhe ndërgjegjësim, duke theksuar nevojën për mbështetje institucionale dhe komunitare për familjet që përballen me fatkeqësi të tilla.