Në doganën e Kakavijës është rikthyer fluksi normal i lëvizjes, pas përfundimit të protestave dyditore të fermerëve grekë, të cilët kishin bllokuar rrugën Kakavijë Janinë duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin në të dyja anët e kufirit.
Bllokadat u vendosën prej orës 11:00 të së enjtes dhe qëndruan aktive për 48 orë pa ndërprerje, duke shkaktuar radhë dhe vonesa të gjata për këmbësorët dhe automjetet që udhëtonin mes Shqipërisë dhe Greqisë. Mesditën e së shtunës, me përfundimin e protestës së fermerëve, lëvizja në pikën kufitare është rikthyer gradualisht në normalitet.
Aktualisht, numri i udhëtarëve dhe automjeteve që po kalojnë kufirin në të dyja drejtimet është i konsiderueshëm. Policia Kufitare po punon me tre sportele, ndërsa edhe pala greke ka shtuar sportelet për përpunimin e dokumenteve, duke shmangur krijimin e radhëve të gjata në kufi.
Gjatë 24 orëve të fundit në pikën kufitare të Kakavijës janë përpunuar gjithsej 3.471 shtetas në hyrje dhe dalje, si dhe 1.172 automjete, ndërsa situata paraqitet e qetë dhe pa problematika.