Një konsull nderi i Bangladeshit, i njohur për kontaktet me ambasadën ruse në Tiranë, shpallet investitor strategjik në Borsh, ndërsa burimi i milionave mbetet i paqartë.
Shqipëria ka shpallur me bujë se i është bashkuar sanksioneve të SHBA-së dhe Bashkimit Europian kundër Rusisë pas agresionit ndaj Ukrainës. Por në realitet, këto masa mbeten vetëm në letra. Tre vite pas vendimit, asnjë veprim konkret nuk është ndërmarrë për të shkëputur fijet financiare të oligarkëve pranë Vladimir Putinit që veprojnë në Tiranë.
Dokumente të siguruara nga gazeta online “Prapaskena” tregojnë se përmes rrjeteve të ndërlikuara, biznesmenë rusë kanë depërtuar në banka, kompani telekomunikacioni, pasuri të paluajtshme dhe sektorë të tjerë të ndjeshëm të tregut shqiptar. Kjo përfshirje, sipas burimeve hetimore, po maskohet përmes bashkëpunimeve me sipërmarrës vendas.

Në këtë panoramë të errët financiare del në pah emri i Shaban Xhabrahimit, konsull nderi i Bangladeshit në Shqipëri, i cili është shpallur “investitor strategjik” për ndërtimin e një resorti luksoz në Borsh. Projekti i miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike më 10 prill 2025, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama, parashikon ngritjen e “Radisson Individuals Premium Borsh”, një kompleks pesë yje me 240 dhoma dhe vila private.

Projekti përfshin pishina, qendër sportive, SPA, palestër, restorante, madje edhe një mini-teatër, me një vlerë investimi prej rreth 28 milionë eurosh. Sipërfaqja e tokës që përfshin resortin arrin në 18.500 metra katrorë, por burime pranë Hipotekës kanë sinjalizuar për dokumente të falsifikuara dhe transaksione të dyshimta.


Kompania që do të zbatojë projektin, “Grand Hotel Borsh”, është themeluar në vitin 2020. Aksionet e saj ndahen mes “Fab Construction”, me 70%, dhe “A.Toto”, me 30%. Të dyja kompanitë janë nën kontrollin e personave që kanë lidhje të drejtpërdrejta me Xhabrahimin, përfshirë Fredi dhe Andrea Toto.
Xhabrahimi, që qëndron pas kompanisë “Fab Construction”, është shfaqur disa herë në ngjarje të organizuara nga ambasada ruse në Tiranë. Një episod i rëndësishëm është ai i 20 shtatorit 2019, kur ambasadori rus Aleksandër Karpushin e falënderoi publikisht për ndërtimin e kompleksit të ri të ambasadës. Fotot e tyre bashkë u publikuan në faqet zyrtare të ambasadës.
Në atë kohë, ambasada e Moskës në Tiranë publikoi një njoftim ku përmendej bashkëpunimi me drejtorin e “Fab Construction”, duke e cilësuar punën “të një cilësie të lartë” dhe duke shprehur dëshirën për “bashkëpunim të mëtejshëm të frytshëm”. Kjo lidhje mes një kompanie shqiptare dhe një strukture diplomatike të Rusisë ngre sot shumë pikëpyetje.
Në vitin 2022, kompania e Xhabrahimit dhuroi për Policinë e Shtetit katër kompjutera dhe pajisje të tjera me vlerë 4.800 euro. Pas dhurimit, shërbimet partnere nisën hetime, pasi dyshohej se kompjuterët mund të kishin pajisje të integruara për përgjim dhe depërtim në rrjete, një metodë tipike e shërbimeve sekrete ruse.
Në qendër të dyshimeve mbetet burimi i parave që financojnë resortin. “Fab Construction” u themelua në vitin 2012, me një kapital fillestar prej vetëm 100 mijë euro. Por në vitin 2021, Xhabrahimi e rriti kapitalin në mënyrë të papritur në 6.4 milionë euro, pa asnjë shpjegim të qartë për origjinën e fondeve.
Burime pranë institucioneve financiare thonë se nga viti 2021 e në vijim, kompania ka kryer disa lëvizje të çuditshme të pronave dhe aksioneve, duke fryrë artificialisht vlerën e “Grand Hotel Borsh”. Këto manovra kanë krijuar dyshime për pastrim parash dhe përdorim të kompanive fantazmë.
Në dokumentet zyrtare nuk gjendet asnjë burim legjitim që justifikon shumën prej 28 milionë euro. Kjo e ka bërë të qartë se pas “Grand Hotel Borsh” mund të fshihen interesa të huaja, veçanërisht ruse, që kërkojnë të depërtojnë në bregdetin shqiptar për qëllime që shkojnë përtej turizmit.
Ekspertë të sigurisë ekonomike paralajmërojnë se përmes projekteve të tilla, Rusia mund të pohojë ndikimin e saj ekonomik në rajon, duke përdorur biznese lokale si mbulesë ligjore për qarkullim kapitalesh të dyshimta.
Ndërkohë, institucionet shqiptare vazhdojnë të heshtin. Asnjë hetim publik nuk është nisur për të verifikuar burimin e fondeve të “Fab Construction” apo lidhjet e saj me qarqe të Moskës.
Historia e Borshit po kthehet kështu në një simbol të hipokrizisë së politikës shqiptare: një vend që në letra ndëshkon Rusinë, por në terren lejon që paratë e saj të ndërtojnë hotele luksoze buzë detit Jon.


