Hetues i BKH përfundon Akademinë e FBI-së, SHBA konfirmojnë mbështetjen për bashkëpunimin me SPAK

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë riafirmuar angazhimin për të forcuar bashkëpunimin me Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të mbështetjes për sundimin e ligjit në Shqipëri.

Në këtë kuadër, është bërë e ditur se Eduard Kaloshi, hetues pranë SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, është diplomuar këtë muaj në Akademinë Kombëtare të FBI-së, një nga programet më të avancuara të trajnimit për zbatimin e ligjit.

Në njoftimin zyrtar theksohet se bashkëpunimi ndërmjet SHBA-së dhe Shqipërisë në fushën e zbatimit të ligjit nis me ofrimin e trajnimeve të nivelit më të lartë për oficerët më të përkushtuar. Diplomimi i Kaloshit konsiderohet një hap i rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve profesionale të strukturave hetimore shqiptare.

“Ne përgëzojmë hetuesin e SPAK/BKH, Eduart Kaloshi, për diplomimin e tij këtë muaj në Akademinë Kombëtare të FBI-së,” thuhet në njoftim, duke theksuar se ai i bashkohet një rrjeti të gjerë ish-studentësh ndërkombëtarë të kësaj akademie.

Sipas deklaratës, aftësitë dhe ekspertiza e fituar do të kontribuojnë në përpjekjet e vazhdueshme të SPAK për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033