Hetimi “Safari Sarajeva” trondit Beogradin, dyshime për përfshirjen e Vuçiçit në vrasjet e civilëve gjatë luftës në Bosnjë

Një hetim i nisur në Itali ka rikthyer në vëmendje një nga episodet më makabre të luftës së Bosnjës. Gazetari investigativ kroat Domagoj Margetić ka dorëzuar në prokurorinë e Milanos një padi kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiç, të cilin e akuzon për përfshirje në vrasjet e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet 1990.

Rasti, i njohur si “Safari i Sarajevës”, bazohet në dëshmi që tregojnë se të pasur të huaj paguanin ushtarë të ushtrisë së Radovan Karaxhiçit për të qëlluar civilët boshnjakë nga kodrat përreth qytetit, “për argëtim”. Gjatë rrethimit, mbi 10,000 persona humbën jetën nga zjarri i snajperëve dhe bombardimet e pandërprera.

Sipas prokurorëve të Milanos, hetimi është fokusuar në identifikimin e shtetasve italianë që mund të kenë marrë pjesë në këto akte. Dosja është ngritur mbi materialet e mbledhura nga shkrimtari italian Ezio Gavacceni dhe mbi një raport të ish-kryetares së Bashkisë së Sarajevës, Benjamina Kariç.

Në rrjete sociale, Margetić publikoi fotografi dhe dokumente që, sipas tij, tregojnë se Vuçiç, atëherë një vullnetar i ri, ishte i pranishëm në një post ushtarak nga i cili ishin qëlluar civilë. Hetimi italian kërkon të rindërtojë rrjetet e transportit dhe logjistikës përmes Beogradit, që mund të kenë mundësuar pjesëmarrjen e “turistëve snajperë”.

Avokatët që ndihmojnë në përgatitjen e çështjes theksojnë se provat e mbledhura janë “të dokumentuara dhe të mbështetura në fakte”, duke nënvizuar se hetimi mund të zgjerohet në nivel ndërkombëtar.

Sipas dëshmive të Ezio Gavaccenit, shumë nga të përfshirët ishin italianë, gjermanë, francezë dhe britanikë që paguanin shuma të mëdha për të marrë pjesë në këtë “safari njerëzore”. Ai theksoi se pjesëmarrësit “nuk kishin motive politike apo fetare, por ishin njerëz të pasur që e bënin për kënaqësi personale”.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk ka komentuar mbi akuzat e reja. Në një intervistë të dhënë në vitin 2021, ai mohoi kategorikisht çdo përfshirje në luftime gjatë rrethimit të Sarajevës, duke i quajtur këto pretendime “manipulime politike të bazuara në retorikën e së kaluarës nacionaliste”.

Ndaj Postimin: