Hetimi për tjetërsim pronash në Lezhë shtrihet te zyrtarët lokalë

Prokuroria e Lezhës ka lëshuar masa ndaj disa ish-drejtuesve e zyrtarëve vendorë, të dyshuar për përfshirje në tjetërsim pronash në zona me vlerë të lartë.

Prokuroria në Lezhë ka zbardhur urdhër-arrestet për 10 persona të dyshuar për përfshirje në skema tjetërsimi pronash. Hetimet kanë përfshirë figura të administratës së Kadastrës, Legalizimeve, Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe strukturave të rendit lokal. Ky operacion konsiderohet një prej goditjeve më të rëndësishme të viteve të fundit në qark.

Në qendër të listës ndodhet Pjetër Tuçi, për të cilin është dhënë masa “arrest në burg”, pasi dyshohet për rol aktiv në procedurat që favorizonin kalimin e pronave te palë të caktuara. Në të njëjtin dosje përmendet edhe Gentian Malotaj, ish-drejtor i Kadastrës, i cili do të qëndrojë në “arrest shtëpie”.

Gjithashtu, masa “arrest në shtëpi” është vendosur edhe për Artur Shabakun, ish-shef i sektorit të Legalizimeve, si dhe për zyrtarin e Kadastrës Artmir Maxhuni. Në të njëjtën formë është ndëshkuar edhe Luiza Bala dhe Hekuran Xhina, të lidhur me procedurat e menaxhimit të dokumentacionit të pronave.

Nga ana tjetër, Flor Gjini dhe Kol Malaj, të dy ish-drejtorë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, janë ndaluar të dalin jashtë vendit. Hetuesit dyshojnë se ata kanë pasur rol në mosndalimin ose mbështetjen e ndërtimtarëve të interesuar në këto zona.

Në listë përfshihet edhe polici i zonës në Shëngjin, Martin Ndoka, i cili është pezulluar nga detyra dhe po ashtu ndalohet të largohet jashtë shtetit. Sipas prokurorisë, roli i tij dyshohet të ketë qenë në sigurimin e kushteve për realizimin e veprimeve të dyshimta në terren.

Hetimi pritet të vijojë me analiza të tjera dokumentare dhe dëshmi, ndërsa pritshmëritë janë për zgjerim të mëtejshëm të çështjes, pasi sipas burimeve, skema përfshinte një rrjet më të gjerë bashkëpunimi në nivel lokal.

Ndaj Postimin: