Hetimi i SPAK për AKSHI-n, Rama mbron drejtoreshën: E vërteta të dalë nga gjykata, jo nga zhurma politike

Kryeministri Edi Rama ka komentuar hetimet e SPAK për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke reaguar ndaj masës së sigurisë “arrest në shtëpi” të vendosur ndaj drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

Duke folur publikisht, Rama theksoi se Karçanaj po përballet me një akuzë që ai e cilësoi të rëndë dhe se, sipas tij, çështja duhet të vlerësohet vetëm nga drejtësia, pa u ndikuar nga presioni politik apo mediatik.

“E di që sot AKSHI përballet me një hetim nga SPAK për përdorimin e fondeve dhe Linda Karçanaj gjendet nën një masë sigurie me një akuzë të hatashme, për të cilën duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia, e s’mund të pritet asgjë nga 700 tenxheret e çorbës politike mediatike që të dalë deri në fund e vërteta e saj, cilado qoftë ajo”, deklaroi Rama.

Kryeministri vuri në dukje rolin e Karçanajt në drejtimin e proceseve të transformimit digjital të qeverisjes shqiptare gjatë 12 viteve të fundit, duke theksuar kontributin e stafit të AKSHI-t, ku, sipas tij, punojnë pa orar vajza dhe djem të talentuar të fushës së teknologjisë.

Në këtë kontekst, Rama përmendi rezultatet e Shqipërisë në raportin më të fundit ndërkombëtar për qeverisjen digjitale, ku vendi renditet në Grupin A me Maturitet të Lartë, me 0.939 pikë nga 1 maksimumi. Ai theksoi se, krahasuar me raportin e vitit 2022, ku vlerësimi ishte 0.752 pikë, Shqipëria është ngjitur nga vendi i 68-të në vendin e 14-të, duke lënë pas vende si Danimarka, Singapori dhe Mbretëria e Bashkuar.

Sipas kryeministrit, raporti vlerëson fusha si sistemet bazë qeveritare, shërbimet publike online, angazhimin digjital të qytetarëve dhe faktorët institucionalë e ligjorë. Ai theksoi se këto rezultate nuk justifikojnë asnjë shkelje të ligjit që mund të ketë ndodhur, por, sipas tij, tregojnë një progres të dukshëm në fushën e qeverisjes digjitale, ndërsa përgjigjet për akuzat ndaj AKSHI-t pritet t’i japë vetëm procesi gjyqësor.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033