Strukturat e SPAK dhe BKH kanë ushtruar kontrolle në disa biznese dhe banesa, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, e cila dyshohet për abuzime me tendera publikë.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se kontrollet janë kryer te Arbër Abazi, person me lidhje familjare me Ballukun. Sipas të njëjtave burime, janë kontrolluar ambientet e zyrës dhe banesa e tij, si dhe është marrë vendim edhe për kontroll personal.
Në kuadër të të njëjtit hetim, SPAK dhe BKH kanë ushtruar kontrolle edhe në banesat e disa biznesmenëve të tjerë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në procedura tenderimi të lidhura me projektet infrastrukturore nën hetim.
Belinda Balluku rezulton e pandehur për tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, ndërsa po hetohet gjithashtu për:
7 lotet e Unazës së Madhe
Koncesionin e rrugës Thumanë–Kashar
Sipas burimeve, SPAK ka kërkuar leje nga Kuvendi për arrestimin e zv/kryeministres, ndërsa Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë më 22 janar kërkesën e kryeministrit, e cila lidhet me pezullimin nga detyra.
Hetimet janë në vijim, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një qëndrim zyrtar publik mbi fazën procedurale të çështjes.