Hetimet për atentatin ndaj Gilmando Danit, merret në pyetje një person nga Fushë Kruja

Një person nga Fushë Kruja është shoqëruar nga policia për t u pyetur lidhur me atentatin e njëmbëdhjetë nëntorit në Rinas, ku u synuan Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani. Personi me inicialet BXH do të japë deklarime si një individ që mund të ketë dijeni mbi ngjarjen. Ai nuk është i arrestuar, por vetëm i thirrur nga hetuesit.

Dani, i njohur si bashkëpunëtor i Emiljano Shullazit, dhe Shaljani u qëlluan pasi u kthyen nga Spanja. Për të sqaruar lëvizjet e tyre jashtë vendit, autoritetet shqiptare kanë kërkuar informacion nga institucionet spanjolle, por deri tani nuk ka përgjigje.

Pas atentatit, në zonën e Krujës u gjet një banesë e mbushur me armë, e cila dyshohet se ishte përdorur si bazë. Pronari i saj, Ylli Zalla, është shpallur në kërkim. Hetuesit mendojnë se automjeti Toyota i autorëve mund të ketë lëvizur nga kjo zonë, por nuk ka prova përfundimtare.

Të katër autorët e dyshuar janë nisur nga Kruja para kryerjes së krimit dhe pasi qëlluan me breshëri në drejtim të dy targeteve të tyre, janë larguar sërish drejt të njëjtës zonë. Në fshatin Halil ata kanë djegur automjetin dhe armët e përdorura, por për shkak të dëmtimeve nga zjarri, ekspertiza balistike nuk ka mundur të sigurojë prova të rëndësishme.

Ndaj Postimin: