Hetim njëmujor zbulon rrjet transporti të emigrantëve, arrestohet 31-vjeçari në Tiranë

Policia e Tiranës ka arrestuar një 31-vjeçar, i dyshuar për përfshirje në transportimin e emigrantëve të huaj me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve.

Arrestimi u krye në rrugën e vjetër të Rinasit, ku shtetasi K. G., 31 vjeç, banues në Kukës, u kap në flagrancë duke transportuar me automjet 6 emigrantë nga Egjipti. Sipas hetimeve, lëvizja parashikonte itinerarin nga Tirana drejt Kukësit, më pas në Kosovë dhe në vijim drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Operacioni u finalizua pas një hetimi njëmujor të ndjekur me metoda speciale nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës.

Gjatë ndërhyrjes, Policia sekuestroi automjetin e përdorur për transportin dhe dy aparate celularë, në cilësinë e provës materiale.

Hetimet po vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë penale dhe për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033