Prokurorët italianë po hetojnë turistë të pasur që dyshohet se kanë paguar deri në 70 mijë paund për të vrarë civilë gjatë rrethimit të Sarajevës, duke e kthyer luftën në një “safari njerëzish”.
Një hetim tronditës është hapur në Milano, ku disa turistë italianë akuzohen se kanë paguar shuma marramendëse për të qëlluar mbi banorë të pafajshëm në Sarajevë gjatë viteve të luftës. Sipas dosjes hetimore, këta individë të pasur kanë kryer udhëtime të organizuara për të marrë pjesë në akte të përgjakshme, të ngjashme me një “gjueti njerëzish”.
Turistët dyshohet se ishin adhurues armësh dhe kishin lidhje me rrethe të ekstremit të djathtë në Itali. Hetimi pretendon se ata kanë paguar anëtarë të milicive serbo-boshnjake për të marrë pjesë në masakrimin e civilëve për qejf, gjatë një prej kapitujve më të errët të historisë moderne europiane.
Rrethimi i Sarajevës nga viti 1992 deri më 1996 solli vdekjen e mbi 10 mijë civilëve, të goditur nga artileria dhe snajperët. Rrugët kryesore të qytetit, si ‘Ulica Zmaja od Bosne’ dhe bulevardi ‘Meša Selimović’, u shndërruan në zona vdekjeprurëse që më vonë u quajtën “Rruga e Snajperëve”.
Dosja hetimore tregon se turistët fluturonin nga Trieste në Beograd me linjën serbe Aviogenex, për t’iu bashkuar trupave në kodrat rreth Sarajevës. Pagesat varionin nga 70 mijë në 88 mijë paund, ndërsa vrasja e fëmijëve tarifohej më shtrenjtë, sipas raportimit të El País.
Hetimi nisi pas një ankese 17-faqëshe të paraqitur nga gazetari Ezio Gavazzeni, i mbështetur nga ish-magjistrati Guido Salvini dhe Benjamina Karić, ish-kryebashkiake e Sarajevës. Dokumentari slloven “Sarajevo Safari”, publikuar në vitin 2022, ndihmoi të sillte në dritë dëshmi tronditëse mbi turizmin makabër të snajperëve.
Turistët akuzohen se paguanin trupat e Radovan Karaxhiçit, ish-udhëheqësit serbo-boshnjak të dënuar për gjenocid në 2016, për t’i lejuar të merrnin pjesë në sulmet ndaj civilëve. Sipas hetimeve, individët e pasur transportoheshin në lartësitë e qytetit për të qëlluar.
Gavazzeni shprehu se hetimi në Bosnjë ishte pezulluar më herët për shkak të ndjeshmërisë së lartë të çështjes në një shoqëri ende të plagosur nga lufta. Ai theksoi se bëhet fjalë për “biznesmenë të pasur” që udhëtonin për të vrarë civilë dhe më pas ktheheshin në jetën e tyre të zakonshme.
Prokurori Alessandro Gobbi ka identifikuar disa persona që mund të dëshmojnë për rastin. Disa prej tyre pritet të thirren së shpejti, ndërsa burimet e hetimit sugjerojnë se rreth 100 turistë mund të kenë marrë pjesë në këtë masakër të fshehur nën petkun e “sportit fundjavor”.
Ndër personat e përmendur në dosje është një biznesmen nga Milano, pronar i një klinike estetike, si dhe individë nga Torino dhe Trieste. Autoritetet shpresojnë të identifikojnë të paktën disa prej autorëve.
Një dëshmitar kyç, agjent i inteligjencës boshnjake me inicialet E.S., ka deklaruar se shërbimet italiane të inteligjencës ishin në dijeni të akteve që në vitin 1993, dhe se dokumente të klasifikuara për këtë rast ekzistojnë ende.
Sipas dëshmive, të paktën pesë italianë ishin parë në kodrat rreth Sarajevës duke u shoqëruar nga milicitë lokale për të qëlluar mbi civilë. Dëshmitarë të tjerë përfshijnë një ish-zyrtar slloven të inteligjencës, persona të plagosur dhe viktima që mbijetuan sulmet.
Një zjarrfikës boshnjak ka përshkruar në Hagë, gjatë gjyqit të Slobodan Millosheviçit në vitin 2002, praninë e “snajperëve turistë” që dalloheshin nga ushtarët serbë për veshjet dhe armët e tyre “luksoze”.
Konsulli i Bosnjës në Milano, Dag Dumrukcic, deklaroi se Italia ka treguar bashkëpunim të plotë për zbardhjen e kësaj çështjeje. Ai u shpreh i gatshëm të kontribuojë me informacione shtesë për të ndihmuar në hetim.
Hetimi pritet të zgjerohet edhe më tej, ndërsa prokurorët italianë synojnë të zbardhin një nga episodet më të errëta dhe më pak të njohura të luftës në Bosnjë, një realitet që trondit opinionin publik edhe tre dekada më pas.


