Heroi i sulmit në Bondi, Ahmed Al Ahmed merr 2.5 milionë dollarë australianë donacione nga komuniteti

Ahmed Al Ahmed, burri që u konsiderua hero pas sulmit të armatosur në Bondi Beach, ka marrë donacione në vlerën e rreth 2.5 milionë dollarëve australianë (1.24 milionë paund), ndërsa po trajtohet në spital për plagët e marra gjatë ngjarjes tragjike.

Al Ahmed ndërhyri gjatë sulmit të së dielës, duke dalë nga pas një automjeti dhe duke u përballur fizikisht me një nga autorët, të cilit i rrëmbeu armën. Gjatë aktit të guximshëm, ai u qëllua disa herë dhe mjekët kanë bërë të ditur se ekziston rreziku që ai të humbasë njërin krah.

Sulmi në Bondi Beach i mori jetën të paktën 15 personave, ndërsa autoritetet theksojnë se numri i viktimave do të kishte qenë shumë më i lartë nëse nuk do të ishte ndërhyrja e Ahmed Al Ahmed. Veprimi i tij konsiderohet vendimtar në ndalimin e përhapjes së mëtejshme të dhunës.

Kryeministri australian Anthony Albanese e vizitoi këtë javë Ahmed Al Ahmed në spital, duke e vlerësuar publikisht si “më të mirin e vendit tonë”. Al Ahmed është baba i dy fëmijëve dhe është kthyer në simbol të guximit dhe solidaritetit, ndërsa mbështetja financiare nga komuniteti vazhdon të rritet si shenjë mirënjohjeje për sakrificën e tij.

Ndaj Postimin: