Pedagogu Ermal Hasimja, i përfshirë në procesin e bashkimit të partive opozitare, është shprehur kundër përdorimit të molotovëve në protestat e Partisë Demokratike, duke theksuar se akte të tilla mund të dëmtojnë mbështetjen e qytetarëve jopartiakë.
Në një reagim në rrjetet sociale, Hasimja deklaroi se përdorimi i molotovëve mund të sigurojë tituj në mediat ndërkombëtare, por rrezikon të “ftohë” qytetarin që nuk është i angazhuar politikisht.
“Unë jam kundër molotovëve në protesta: ndoshta garantojnë foto dhe tituj lajmesh ndërkombëtare, por rrezikojnë të ftohin qytetarin jopartiak”, shkroi ai, duke shtuar se situata duhet parë në kontekst.
Hasimja theksoi se nuk sheh qëllimshmëri për dëmtimin e njerëzve apo pronës nga protestuesit, por argumentoi se kufizimi i hapësirës për opozitën në Kuvend dhe në komisionet hetimore parlamentare krijon tension politik.
Ai nënvizoi gjithashtu se opozita ka përgjegjësitë e saj dhe përmendi tryezën e parë të organizuar me pjesëmarrjen e 10 partive opozitare, duke shprehur bindjen se në muajt në vijim do të ketë bashkëpunim të plotë mes forcave opozitare në kuadër të Forumit të Dialogut Politik.
Hasimja iu referua edhe zgjedhjeve të brendshme të Partisë Demokratike në prill 2026, duke theksuar se ato përbëjnë një mundësi për të dëshmuar ndryshim pozitiv në përputhje me situatën politike.