Ministria e Brendshme ka hapur zyrtarisht garën për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Sipas burimeve, nga sot çdo oficer policie që mban gradën “drejtues” mund të kandidojë për postin e kryepolicit. Thirrja për aplikime do të qëndrojë e hapur për 7 ditë.
Pas përfundimit të këtij afati, Ministria e Brendshme do të publikojë në faqen zyrtare emrat e kandidatëve. Brenda 10 ditëve, Komisioni i Posaçëm do të kryejë vlerësimin paraprak dhe do të hartojë listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore.
Më pas, komisioni do të organizojë seanca dëgjimore me kandidatët. Komisioni i Posaçëm përbëhet nga një zëvendësministër i Brendshëm (kryetar), Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Brenda 48 orëve nga përfundimi i seancës së fundit dëgjimore, komisioni do të hartojë tabelën përfundimtare të vlerësimit dhe do të rendisë kandidatët sipas pikëve.
Në përfundim, ministri i Brendshëm do t’i propozojë kryeministrit listën me kandidatët me vlerësimin më të lartë, ndërsa vendimi final do të firmoset nga kryeministri.
Nëse respektohen afatet, brenda muajit mars pritet të shpallet emri i ri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Sipas burimeve, pritet që drejtimi i policisë t’i besohet një figure që gëzon mbështetje edhe nga partnerët ndërkombëtarë, në kontekstin e negociatave me BE.