Tre prona private u kapën duke shfrytëzuar hapësirat publike në Seman me shezlongë e çadra pa leje dhe pa kasë fiskale
Operacioni i koduar “Plazhi i lirë” ka vijuar në zonën bregdetare të Semanit, ku janë zbuluar dhe ndaluar tre raste flagrante të uzurpimit të tokës publike nga biznese që vepronin pa leje dhe në kundërshtim me ligjin.
Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Komisariatit të Fierit dhe njësitë e Krimit Ekonomik, në bashkëpunim me strukturat bashkiake, konstatuan se tre biznese kishin vendosur rreth 150 komplete me çadra dhe shezlongë në plazh, pa pasur asnjë autorizim për përdorimin e tokës publike.
Pronarët e këtyre subjekteve, shtetasit E. F., 38 vjeç, R. Sh., 69 vjeç dhe Z. S., 56 vjeç, rezultuan të kishin zënë sipërfaqe të konsiderueshme në bregdet, duke zhvilluar aktivitet tregtar të paregjistruar dhe pa kasë fiskale. Hetimet zbuluan gjithashtu se të ardhurat nuk ishin deklaruar në organet tatimore.
Prokuroria e Fierit ka nisur procedimin në gjëndje të lirë, për këta shtetas.
Kjo ndërhyrje është pjesë e një aksioni më të gjerë që synon rikthimin e hapësirave publike nën kontrollin e shtetit dhe garantimin e përdorimit të tyre të drejtë gjatë sezonit veror, për të mos u lënë në mëshirë të abuzimeve të subjekteve private.
Autoritetet kanë paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë në gjithë vijën bregdetare, për të ndalur këtë fenomen shqetësues që cënon lirinë dhe të drejtat e pushuesve dhe dëmton konkurrencën e ndershme në tregun turistik.
Zyrtarët kërkojnë nga qytetarët bashkëpunim për të denoncuar çdo rast të uzurpimit të hapësirave publike, duke theksuar se veprimet e tilla nuk do të tolerohen dhe do të ndëshkohen sipas ligjit.


