Hamasi premton lirimin e 6 pengjeve izraelitë dhe dorëzimin e trupave të pajetë të 4 personave

Hamasi njoftoi të martën se do të lirojë gjashtë pengje izraelite më 24 shkurt, datë e caktuar për të përfunduar fazën e parë të armëpushimit, duke ndryshuar kështu planin e mëparshëm, ku parashikohej lirimi i tre pengjeve.

Në një njoftim të befasishëm, grupi militant bëri të ditur gjithashtu se do të dorëzonte trupat e pajetë të katër izraelitëve të enjten, si pjesë e marrëveshjes për armëpushim. Ky hap u interpretua si një përgjigje ndaj lejes që Izraeli dha për hyrjen e materialeve ndihmëse në Gazën e shkatërruar.

Në këmbim të lirimit të pengjeve, Izraeli pritet të lirojë një numër të madh të burgosurish palestinezë, përfshirë disa që po vuajnë dënime të përjetshme për akte dhune. Palët e përfshira në armëpushim duhet ende të negociojnë kushtet e fazës së dytë, që parashikohet të jetë më e vështirë dhe të ketë më shumë komplikacione.

Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Pagjeturve njoftoi me entuziazëm se po presin kthimin e izraelitëve të rrëmbyer. Gjashtë izraelitët që do të lirohen janë identifikuar si Eliya Cohen, Tal Shoham, Omer Shem Tov, Omer Wenkert, Hisham Al-Sayed dhe Avera Mengistu. Ata do të jenë pengjet e fundit që lirohen në këtë fazë të armëpushimit.

Eliya Cohen, 27 vjeç, u rrëmbye në tetor të vitit 2023 afër një festivali muzike në jug të Izraelit. Tal Shoham, 40 vjeç, u rrëmbye gjatë një sulmi në vendbanimin Beeri, ndërsa Shem Tov, 22 vjeç, dhe Wenkert, 23 vjeç, ishin gjithashtu të rrëmbyer në të njëjtin festival. Wenkert pati shqetësime serioze shëndetësore gjatë kohës që ishte peng, pasi nuk merrte ilaçet për një sëmundje të organeve të tretjes.

Hisham Al-Sayed, 36 vjeç, dhe Avera Mengistu, 39 vjeç, janë mbajtur peng për një periudhë shumë më të gjatë, që para muajit tetor. Al-Sayed, pjesëtar i fisit arab beduinë të Izraelit, kishte shkuar vetë në Gazë në vitin 2015, ndërsa Mengistu kishte kaluar kufirin në vitin 2014.

Përveç këtyre zhvillimeve, Izraeli ka vazhduar të tërhiqet nga disa zona të Libanit jugor. Kjo tërheqje u realizua sipas marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, që u dha fund luftës me Hezbollahun. Megjithatë, forcat izraelite vazhduan të mbajnë disa pozita strategjike përgjatë kufirit me Libanin, një situatë e diskutueshme për autoritetet libaneze.

Në një tjetër zhvillim, Egjipti njoftoi shtyrjen e takimit të shteteve arabe për të diskutuar mbi situatën në Gazë. Takimi i cili ishte planifikuar për më 27 shkurt do të mbahet më 4 mars në Kajro për arsye logjistike, sipas Ministrisë së Jashtme të Egjiptit. Ky takimi do të përpiqet të ofrojë një kundër-propozim për planin e Presidentit amerikan Donald Trump për Gazën.

Ndaj Postimin: