Hakerimi i sistemit të SPAK, dërgohen për gjykim ish-drejtori i Burgjeve dhe dy ish-zyrtarë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili, si dhe dy ish-zyrtarë të tjerë, Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni, të akuzuar për hakerimin e sistemit të SPAK dhe shpërndarjen e materialeve hetimore.

Sipas akuzës, Arnold Rrokaj, ish-punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, në bashkëpunim me ish-zyrtarin e burgut të Vlorës, Zambak Gjoni, ka hyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemet kompjuterike të Prokurorisë së Posaçme, duke marrë akses në materiale hetimore.

Materialet e siguruara në mënyrë të paligjshme janë shpërndarë më pas te ish-kreu i Burgjeve, Agim Ismaili, i cili dyshohet se i ka përcjellë informacionet edhe te persona të tjerë. SPAK bën me dije se Rrokaj dhe Gjoni u identifikuan brenda 24 orëve dhe u arrestuan menjëherë, duke parandaluar shpërndarje të mëtejshme të materialeve.

Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni po hetohen me masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa Agim Ismaili po hetohet në gjendje të lirë. Të tre akuzohen për hyrje të paautorizuar kompjuterike, përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal.

Çështja është dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, ndërsa SPAK thekson se hetimet kanë zbuluar përpjekje të qëllimshme për thellimin e përgjimit dhe sigurimin e të dhënave për persona të ndryshëm.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033