Është zbuluar data e mbledhjes së Grupit Parlamentar Socialist, ku pritet të merret qëndrimi përfundimtar i mazhorancës lidhur me kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për marrjen e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut.
Dy burime nga Grupi Parlamentar Socialist i thanë gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se deputetët janë njoftuar për të marrë pjesë në mbledhjen që do të zhvillohet të enjten në orën 11:00.
Sipas të njëjtave burime, vendi i zgjedhur për këtë mbledhje është Pallati i Brigadave.
Një ditë më parë, pas mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, Taulant Balla paralajmëroi se mbledhja e radhës e grupit do të ishte vendimtare për përcaktimin e qëndrimit ndaj koleges së tyre, Belinda Balluku.
Nga diskutimet e anëtarëve socialistë në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit u la të kuptohet se, sipas tyre, masa e pezullimit nga detyra, e cila po zbatohet aktualisht nga Balluku, konsiderohet e mjaftueshme.
Vendimi përfundimtar i mazhorancës pritet të zyrtarizohet pas kësaj mbledhjeje.