Greqia Shpall Kufijtë e Rinjtë Detarë dhe Miraton Planin për Zonat Ekskluzive Ekonomike

Greqia ka bërë një hap të rëndësishëm në çështjen e sovranitetit detar, duke shpallur zyrtarisht kufijtë e rinj detarë dhe miratuar Planin Hapësinor Detar. Ky plan përfshin për herë të parë një hartë të detajuar të pretendimeve të Greqisë për hapësirat detare, duke përfshirë Zonat Ekskluzive Ekonomike (ZEE), të cilat janë të përcaktuara në kuadër të marrëveshjeve bilaterale me Italinë dhe, pjesërisht, me Egjiptin.

Harta, e cila është publikuar në gazetën zyrtare dhe dorëzuar në institucionet evropiane, paraqet kufijtë detarë të vendosur nga Greqia. Ajo thekson përpjekjen e vendit për të kundërshtuar pretendimet detare të Turqisë, të bazuara në memorandumin e diskutueshëm që Ankaraja ka nënshkruar me Libinë. Ky memorandum ka shkaktuar tensione të mëdha, pasi bie ndesh me marrëveshjen e nënshkruar midis Greqisë dhe Egjiptit për ndarjen e hapësirës detare.

Një element kyç i këtij plani është fakti se Greqia ka afirmuar të drejtën e saj për të pasur ndikim të plotë mbi brigjet kontinentale, si dhe mbi ishujt e saj, duke shtrirë kufijtë e ZEE-së së saj deri në zonën perëndimore të asaj qipriote. Ky është një veprim që synon të forcojë pozitat e Greqisë në një rajon të pasur me burime natyrore, duke theksuar se është e drejtë e vendit të shfrytëzojë resurset detarë të kësaj zone.

Sipas ligjit grek 4001/2011, kufijtë e detarë janë përcaktuar në bazë të vijës së mesme, në ato pjesë ku nuk ka marrëveshje bilaterale. Ky hap përfshin gjithashtu zgjerimin e ujërave territoriale të Greqisë, ku ato në Detin Jon do të shtrihen deri në 12 milje, ndërsa në pjesën tjetër të hapësirës detare kufiri është caktuar në 6 milje, me mundësinë e zgjerimit deri në 12 milje në përputhje me Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit.

Ky plan vjen në një kohë kur tensionet në Mesdheun Lindor janë të larta, duke pasur ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikën e jashtme. Greqia ka theksuar se kjo është një masë për të ruajtur sovranitetin e saj detar dhe për të forcuar pozitat e saj në negociatat ndërkombëtare.

Veprimi i Greqisë është një shenjë e qartë e përpjekjeve të saj për të mbrojtur interesat kombëtare, duke marrë parasysh se rajoni i Mesdheut është një nga më të diskutueshmit në botë, veçanërisht për shkak të burimeve të pasura natyrore dhe pikave të nxehta gjeopolitike. Ky zhvillim ka rritur ndërlikimet gjeopolitike dhe ka vënë në pah rëndësinë e diplomacisë ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjeve të ndjeshme detare.

Ndaj Postimin: