Gratë në Shqipëri po jetojnë më gjatë, po diplomohen më shumë dhe po fitojnë terren në pozita të rëndësishme akademike, politike e diplomatike, duke sfiduar dominimin tradicional të burrave.
Sipas INSTAT, në fund të vitit 2024, popullsia e Shqipërisë përbëhej nga 50,5% gra dhe 49,5% burra. Gratë jetojnë mesatarisht pesë vite më shumë se burrat dhe kanë një shtesë natyrore më pozitive: 1.060 lindje më shumë se vdekjet, kundrejt vetëm 148 për burrat. Edhe vdekshmëria foshnjore paraqitet më e ulët tek vajzat, me 4,1 për çdo mijë lindje, krahasuar me 5,3 për djemtë.
Shëndeti mbetet sfidë për të dy gjinitë, me sëmundjet e qarkullimit të gjakut që shkaktojnë mbi gjysmën e vdekjeve në vend. Në vitin 2024, nga 23.310 lindje u regjistruan 4.192 aborte, kryesisht te grupmosha 20-34 vjeç, ndërsa te vajzat 18-vjeçare norma arriti nivelin më të lartë.
Në arsim, gratë dominojnë qartë. Në vitin akademik 2023-24, 65,8% e të diplomuarve ishin vajza. Në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm të lartë, 79,1% dhe 71% e stafit mësimor janë gra. Në universitet, ato përfaqësojnë shumicën e profesorëve, doktorëve dhe pedagogëve. Biznesi, shëndeti dhe gazetaria janë fushat ku diplomohen më së shumti vajzat, ndërsa djemtë mbizotërojnë në inxhinieri dhe teknologji.
Edhe pse burrat kanë pjesëmarrje më të lartë në tregun e punës (82,3% kundrejt 69,3%), shumë gra punojnë në sektorin bujqësor apo si punëtore pa pagesë në bizneset familjare. Megjithatë, prania e tyre është e fortë në sektorin e tregtisë, hotelerisë dhe shërbimeve.
Në politikë, gratë po fitojnë terren. Në vitin 2024, ato përbënin 35,7% të parlamentit, ndërsa përqindja e kandidateve fituese për kryetare bashkie ishte 13,1%. Në diplomaci, 37,5% e ambasadorëve ishin gra dhe 66,7% mbanin titullin Ministër Fuqiplotë. Edhe në Forcat e Armatosura, përfaqësimi i tyre arriti 15,4%.
Në biznes, gratë dominojnë në ndërmarrjet e vogla. Ato përfaqësojnë 32,6% të pronareve ose administratoreve, kryesisht në sektorin e shërbimeve. Nga skemat mbështetëse të Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve, 40,6% e përfituesve ishin gra, duke treguar rritjen e ndikimit të tyre në ekonomi.
Të dhënat e fundit tregojnë qartë një transformim shoqëror: gratë po fitojnë jetëgjatësi, dije, pushtet dhe përfaqësim, duke ndryshuar balancat tradicionale në shumë fusha të jetës shqiptare.