Gratë e dyshimta u afrohen fëmijëve në Tiranë? Policia reagon: Nuk ka rrezik për të miturit, identifikohen dy shtetase iraniane.

Një video e shpërndarë në rrjetet sociale, ku pretendohej se disa gra të mbuluara komunikonin në mënyrë të dyshimtë me të mitur, ka nxitur reagimin e Policisë së Shtetit.

Në një njoftim zyrtar, autoritetet bëjnë me dije se strukturat e specializuara kanë nisur menjëherë verifikimet dhe hetimet përkatëse, duke arritur të identifikojnë dy shtetaset që shfaqeshin në pamjet e publikuara.

Sipas Policisë, shtetaset me inicialet M. G. dhe A. G. janë shoqëruar më 21 prill 2026 në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ku janë kryer veprimet e mëtejshme procedurale.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se të dyja gratë janë me shtetësi iraniane dhe ndodhen në Shqipëri të pajisura me leje qëndrimi për arsye humanitare.

Policia sqaron se, deri në këtë fazë të hetimeve, nuk ka asnjë provë që këto shtetase të kenë kryer veprime të kundërligjshme ndaj të miturve, duke garantuar qytetarët se nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë e tyre.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për vlerësim dhe ndjekje të mëtejshme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033