Një grabitje me armë u regjistrua paraditen e sotme në një bankë të nivelit të dytë në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë, ku një 58-vjeçar mori nën kërcënimin e armës rreth 2 milionë lekë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:15 në rrugën “Muhidin Llagami”. Sipas pamjeve të siguruara, autori, Bardhyl Fusha nga Gramshi, hyri në bankë me një çantë ku kishte fshehur një kallashnikov.
Pasi nxori armën, ai qëlloi një herë në dysheme pranë arkës, ndërsa brenda ndodheshin punonjës dhe klientë. Nën kërcënim, mori shumën e parave dhe tentoi të largohej nga e njëjta derë.
Policia u njoftua nga një klient i bankës dhe një patrullë që ndodhej pranë mbërriti menjëherë në vendngjarje. Autori u neutralizua në dalje të bankës, ku dorëzoi armën dhe u arrestua pa rezistencë.
Në çantën e tij u gjetën paratë e grabitura, të cilat u sekuestruan.
Sipas burimeve, 58-vjeçari, i njohur si sipërmarrës në fushën e ndërtimit, ka deklaruar para policisë se kishte borxhe të shumta dhe për këtë arsye kishte vendosur të kryente grabitjen.
Policia po heton për të verifikuar nëse ka pasur bashkëpunëtorë të tjerë.