Pas tre ditësh ndërprerjeje të sinjalit, kompjuterët dhe pajisjet e punës së gazetarëve të News24 grabiten në një akt të paprecedent në median shqiptare.
Dhuna dhe presioni ndaj televizionit informativ News24 dhe gazetarëve të Focus Media News po arrijnë përmasa të reja alarmante. Pas fikjes së sinjalit për tre ditë rresht, dje situata ka eskaluar me grabitjen e kompjuterëve dhe materialeve të punës nga ambientet e televizionit.
Ajo që nisi mëngjesin e 9 gushtit si një veprim i paligjshëm, ka marrë formën e një sulmi të organizuar, ku civilë të paautorizuar kanë hyrë në godinat e televizionit. Ky veprim është cilësuar nga shumë si një nga aktet më të rënda dhe më të dhunshme ndaj një mediaje në historinë e Shqipërisë.
Shkatërrimi nuk është ndalur me kaq. Dy ditë më parë, pa asnjë vendim gjykate, janë sekuestruar tavolinat dhe karriget e zyrave, duke e çuar në absurditet situatën e krijuar. Burime nga vendngjarja tregojnë se nga ambientet e News24, të cilat janë të pushtuara nga Policia e Shtetit dhe forcat ushtarake, janë çmontuar edhe pajisjet e transmetimit, me urdhër të drejtorit të KAYO-s, Ardi Veliu.
Dhjetëra kamionë kanë hyrë dhe dalë nga godina e televizionit, duke marrë pajisje dhe materiale pa asnjë transparencë nga autoritetet. Kjo mungesë informacioni dhe shkelje flagrante e pronësisë ka nxitur reagime të forta nga gazetarët dhe organizatat e lirisë së medias.
Sipas dëshmive, veprimet e kryera kanë karakter shkatërrimtar dhe synojnë jo vetëm paralizimin e aktivitetit të televizionit, por edhe frikësimin e gazetarëve dhe stafit. Ky episod ka ndezur debatin publik mbi kufijtë e ndërhyrjes së autoriteteve dhe respektimin e ligjit në raport me lirinë e medias.
Ngjarja e fundit ka forcuar bindjen se News24 po përballet me një presion të paprecedent, ku ligji dhe të drejtat themelore po injorohen, duke rrezikuar seriozisht standardet demokratike në vend.