Google Maps sjell informacion në kohë reale për autobusët në Shqipëri

Përdoruesit e transportit publik në Shqipëri mund të ndjekin tani në Google Maps vendndodhjen, oraret dhe vonesat e autobusëve, duke shmangur pasiguritë e mëparshme.

Google ka përmirësuar ndjeshëm shërbimin e transportit publik në vend, duke shtuar të dhëna në kohë reale për linjat urbane dhe ndërqytetase. Përdoruesit në Tiranë dhe qytete të tjera shohin tani në aplikacion se kur mbërrin autobusi, nëse ka vonesa, nivelin e mbushjes së mjetit dhe orarin e saktë të ardhjes së tjetrit.

Ky hap përbën një ndryshim të madh krahasuar me periudhën para 8 janarit 2025, kur Google Maps nuk shfaqte as linjat, as ndalesat, as oraret e autobusëve. Mungesa e këtij informacioni krijonte vështirësi të mëdha për vendasit dhe e bënte orientimin pothuajse të pamundur për turistët që mbështeteshin te platformat digjitale.

Shembujt praktikë tregojnë se shërbimi funksionon tashmë në mënyrë të qartë. Nga qendra e Tiranës drejt Komunës së Parisit, aplikacioni sugjeron linjën A1 (Selitë), kohëzgjatjen prej 12 minutash, statusin “në kohë” dhe nivelin e ulët të mbushjes. Për itinerarin Ali Demi – Aeroporti i Tiranës, ofrohet kombinimi optimal i linjës 5A me autobusin e aeroportit, me orare dhe ndalesa të sakta.

Përmirësimi është i rëndësishëm sidomos për vizitorët e huaj. Më herët, turistët shpesh shmangnin transportin publik nga mungesa e të dhënave të besueshme.Një turiste nga Italia, ka treguar në TikTok se pavarësisht përvojës së mirë në Shqipëri, transporti publik ishte sfidues për shkak të mungesës së informacionit të qartë. Me këtë përditësim, raste të tilla pritet të pakësohen ndjeshëm.

Ky zhvillim shënon një hap konkret drejt modernizimit të infrastrukturës digjitale të transportit dhe lehtësimit të lëvizjes për të gjithë përdoruesit. Në kushtet kur Shqipëria nuk ka një linjë hekurudhore funksionale, autobusët mbeten mjeti kryesor i transportit publik ndërurban, ndaj përfshirja e tyre në Google Maps është një nismë e vonuar, por e domosdoshme për përmirësimin e përvojës urbane.

Ndaj Postimin: