Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka zhvilluar takimin e tij të parë me kryetarin e ri të SPAK-ut, Klodjan Braho, duke riafirmuar mbështetjen e BE-së për institucionin kyç të drejtësisë shqiptare.
Në një postim publik, Gonzato deklaroi se e ka përgëzuar Braho-n për punën dhe rezultatet e arritura deri më tani nga SPAK, duke vënë theksin te domosdoshmëria e vijimit të hetimeve efektive ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ai theksoi se rezultatet e prekshme në këto fusha janë thelbësore për rrugën evropiane të Shqipërisë dhe për forcimin e besimit te sundimi i ligjit.
Ambasadori i BE-së nënvizoi gjithashtu se rritja e kapaciteteve hetimore dhe respektimi i standardeve të larta profesionale në hetim dhe ndjekje penale janë vendimtare për arritjen e rezultateve të qëndrueshme.
Në deklaratën e tij, Gonzato konfirmoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë, si pjesë e angazhimit për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.