Goleada spektakolare në Ligën e Kampioneve: dominim i Bajernit, Çelsit dhe Liverpulit

Një mbrëmje spektakolare në Ligën e Kampioneve, me 20 gola të shënuar në vetëm gjashtë ndeshje, riktheu emocionet e futbollit europian me fitore të thella nga Bajerni, Çelsi dhe Liverpuli.

Spektakli i së mërkurës në Ligën e Kampioneve prodhoi një valë emocionesh dhe gola pa fund. Bajern Mynih shkatërroi Klub Bryzhin me rezultatin 4-0, duke treguar qartë forcën e saj që në minutat e para. Karl, Kane, Luis Diaz dhe Xhekson vulosën një fitore të padiskutueshme për bavarezët, të cilët po ecin me ritmin e një makinerie të përsosur.

Në Londër, Çelsi i dha një leksion futbolli Ajaksit me rezultatin 5-1, ku shënuan Guiu, Kaisedo, Fernandez, Estevao dhe Xhorxh. Blutë dominuan të gjitha aspektet e lojës dhe nuk lanë hapësirë për reagim nga skuadra holandeze.

Ndërkohë, Liverpuli bëri një paraqitje të jashtëzakonshme në transfertë ndaj Eintraht Frankfurtit, duke përmbysur disavantazhin fillestar dhe fituar me rezultatin e thellë 5-1. Gakpo, Szoboszlai, Konate, Van Dijk dhe Ekitike shënuan për “të kuqtë”, që po rikthehen me stil në Europë.

Reali i Madridit mposhti Juventusin me rezultatin minimal 1-0, duke ruajtur ecurinë perfekte në grup. Në të njëjtën kohë, Sporting Lisbona përmbysi Marsejën me rezultatin 2-1, në një ndeshje ku heroi ishte Katamo me një gol spektakolar në fund.

Pas përfundimit të ndeshjeve të treta, pesë skuadra: PSG, Bajern Mynih, Inter, Arsenal dhe Real Madrid – mbeten me pikë të plota. Ndërsa Juventusi, me vetëm 2 pikë në 3 ndeshje, rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në fazën play-off, së bashku me Ajaksi-n dhe Benfikën që kanë humbur të gjitha ndeshjet.

Kjo javë e Champions-it ka treguar se hierarkia europiane po rikthehet në formën e saj klasike: gjigantët dominuan me stil, ndërsa emrat historikë që kanë humbur ritmin po e ndjejnë peshën e garës më prestigjioze në kontinent.

Ndaj Postimin: