Autoritetet turke kanë ndërmarrë një operacion të gjerë kundër ekstremizmit, duke arrestuar 357 persona të dyshuar për lidhje me grupin terrorist Shteti Islamik. Aksioni u shtri në 21 provinca të vendit dhe u zhvillua nga forcat e policisë gjatë orëve të para të mëngjesit.
Ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya bëri të ditur se të arrestuarit dyshohet se ishin të përfshirë në veprimtari të lidhura me ISIS-in. Ai theksoi se autoritetet nuk do t’u japin hapësirë grupeve që synojnë destabilizimin e shtetit përmes akteve terroriste.
Operacioni vjen në një klimë të shtuar tensioni sigurie, vetëm pak ditë pas një përplasjeje të rëndë në Yalova, ku tre efektivë policie humbën jetën gjatë një aksioni kundër këtij grupi. Në të njëjtin operacion u vranë edhe gjashtë të dyshuar si anëtarë të ISIS-it.
Më herët, Prokuroria e Stambollit kishte lëshuar urdhër-arreste për 137 persona, pas të dhënave që tregonin plane për sulme gjatë periudhës së festave të fundvitit. Autoritetet kanë deklaruar se masat parandaluese janë forcuar ndjeshëm për të shmangur çdo rrezik për sigurinë publike.
Turqia ndan një kufi të gjatë me Sirinë, zonë ku ISIS vijon të jetë aktiv, çka e bën vendin veçanërisht të ekspozuar ndaj rrezikut të infiltrimeve dhe aktiviteteve terroriste. Autoritetet kanë bërë të ditur se operacionet kundër ekstremizmit do të vijojnë.