Policia e Elbasanit ka shkatërruar një rrjet të mirëorganizuar prostitucioni, duke vënë në pranga shtatë persona me origjinë nga Kolumbia dhe Spanja.
Ndërkohë, dy tutorë peruanë janë shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Fee”.
Rrjeti vepronte në apartamente me qira të përshtatura për shfrytëzim prostitucioni në lagje të ndryshme të qytetit të Elbasanit. Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan 43 000 lekë, 2 780 euro dhe nëntë celularë, që dyshohen se janë përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Operacioni është finalizuar nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan.
Në pranga përfunduan shtetaset kolumbiane A. B., 22 vjeçe, dhe L. B., 19 vjeçe, për akuzën e “Shfrytëzimit të prostitucionit”. Gjithashtu, u arrestuan edhe shtetaset spanjolle S. F., 36 vjeçe, dhe M. C., 32 vjeçe, si dhe kolumbianet P. S., 27 vjeçe, dhe Y. A., 29 vjeçe. Po ashtu, një shtetase venezueliane, A. R., 38 vjeçe, u arrestua për veprën penale të “Prostitucionit”.
Materialet hetimore janë referuar në Prokurori për nisjen e procedimit penal ndaj një tjetër shtetaseje venezueliane, Y. O., 31 vjeçe, për të njëjtën vepër penale.
Policia ka shpallur në kërkim dy shtetas peruanë, F. G., 23 vjeçe, dhe J. G., 44 vjeç, të akuzuar për “Shfrytëzim të prostitucionit”. Autoritetet po punojnë për lokalizimin dhe arrestimin e tyre.
Rrjeti i prostitucionit funksiononte duke përdorur faqe online për promovim dhe ofrimin e favoreve seksuale kundrejt pagesës. Apartamentet e përdorura për këtë veprimtari ishin marrë me qira dhe ishin përshtatur posaçërisht për këtë qëllim.
Shkatërrimi i këtij rrjeti shënon një tjetër sukses të autoriteteve lokale në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit të prostitucionit.
Materialet procedurale janë tashmë në Prokurori, ndërsa hetimet po vijojnë për të dokumentuar plotësisht aktivitetin kriminal dhe për të kapur personat e shpallur në kërkim.
Operacioni “Fee” është pjesë e një strategjie të zgjeruar nga Policia e Shtetit për të goditur rrjetet kriminale dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë publike në territor.