Goditet kontrabanda dhe prerja e paligjshme e pyjeve në kufirin me Maqedoninë e Veriut, tre persona nën procedim penal

Tre persona janë proceduar penalisht nga autoritetet në qarkun e Korçës, të dyshuar për kontrabandë nëpërmjet kufirit shqiptaro-maqedonas dhe për prerje të paligjshme të pyjeve. Veprimet janë kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në kuadër të kontrolleve të shtuara në zonat kufitare.

Rasti i parë është konstatuar nga shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Pustec, në afërsi të Qafës së Zvezdës. Gjatë kontrollit të një automjeti tip kamionçinë, me drejtues shtetasin K. D., 38 vjeç, banues në fshatin Cangonj, Devoll, u gjet në karroceri një sasi dru zjarri pa dokumentacionin përkatës. Drutë e zjarrit dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në një tjetër rast, shërbimet policore ndaluan një automjet tip furgon, që drejtohej nga shtetasi S. Ll., 57 vjeç, me pasagjer shtetasin K. M., 67 vjeç, banues në fshatin Orman, Pojan. Gjatë kontrollit, në karrocerinë e mjetit u gjet një gjedh (viç) i pamatrikulluar dhe pa dokumentacion shoqërues, i dyshuar si mall kontrabandë.

Pas përfundimit të veprimeve paraprake, materialet procedurale për të tre rastet iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprat penale “prerja e paligjshme e pyjeve”, “kontrabanda me mallra të tjerë” dhe “tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”. Kontrollet në zonat kufitare vijojnë për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme.

Ndaj Postimin: