Goditen grupet kriminale në Tiranë, operacioni “Blloku 33” çon në arrestimin e 25 personave

Policia sekuestron drogë, armë dhe para në operacionin “Blloku 33”, ndërsa në kërkim mbeten edhe 8 të dyshuar

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses një ndër operacionet më të mëdha të kohëve të fundit, duke shkatërruar disa grupe kriminale që shpërndanin kokainë dhe heroinë në zonën e Ish-Bllokut. Operacioni, i koduar “Blloku 33”, u zhvillua pas muajsh hetimesh intensive dhe çoi në arrestimin e 25 shtetasve.

Sipas njoftimit zyrtar, nga 33 masa sigurie të vendosura nga Gjykata, u ekzekutuan 24 arrestime me burg dhe një arrest në shtëpi. Hetimet zbuluan 42 persona të përfshirë në këtë rrjet, të cilët vepronin në lokalet e natës në Tiranë, duke shitur doza të lëndëve narkotike.

Pamjet e publikuara nga policia tregojnë momentet e arrestimeve, si dhe provat e sekuestruara: rreth 2 kg kokainë, 450 gramë heroinë, dy armë zjarri, 29 telefona celularë, 6 automjete dhe sasi të mëdha parash në euro dhe lekë.

Gjithashtu, gjatë hetimeve të mëparshme janë arrestuar edhe 9 persona të tjerë, ndërsa janë kapur 85 kilogramë kanabis. Materialet janë dërguar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.

Operacioni u udhëhoq nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Policia ka shpallur në kërkim edhe 8 persona të tjerë, të cilët janë identifikuar si pjesë e kësaj veprimtarie kriminale dhe po vijon puna për kapjen e tyre. Rrjeti i shpërndarjes së drogës pritet të dokumentohet në mënyrë të plotë gjatë fazave të mëtejshme të hetimit.

Ndaj Postimin: