Gjyqtarja Rusta në qendër të polemikave pas ndeshjes Lushnja-Luftëtari: Pa VAR-in vendimet ngjallin reagime të forta!

Takimi i javës së katërt mes SK Lushnjës dhe Luftëtarit të Gjirokastrës, i përfunduar me rezultatin 1-1, nuk u dominua vetëm nga loja në fushë, por mbi të gjitha nga vendimet e gjyqtares kryesore Emanuela Rusta, që ndezën polemika të forta në stadiumin “Roza Haxhiu”, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.

Në një ndeshje të barabartë dhe pa gola në pjesën e parë, minuta e 25-të solli një nga momentet më të debatueshme: penalltia e dhënë në favor të Luftëtarit, e cila u prit nga portieri lushnjar Olti Haremi. Megjithatë, vetëm pak minuta më vonë, vendasit pretenduan për një penallti të paakorduar, që sipas tyre ishte më e qartë se ajo e dhënë për miqtë.

Vendimi i Rustës solli reagime të forta nga stoli lushnjar dhe tifozët, të cilët i kërkuan gjyqtarit anësor të ndërhynte për të korrigjuar vendimin. Por sinjalizimi nuk erdhi dhe loja vijoi mes tensioneve.

Kritikat nuk munguan as pas ndeshjes, ku shumë e lidhin performancën jo të sigurt të gjyqtares me mungesën e sistemit VAR. “Me gjithë respektin për përfshirjen e grave në arbitrimin e futbollit të meshkujve, siç kërkon UEFA, një ndeshje pa VAR mbetet e rrezikuar nga gabime vendimtare,” u shpreh një përfaqësues i klubit.

Sipas drejtuesve të Lushnjës, vendimet e dyshimta ndikojnë drejtpërdrejt në ecurinë dhe ambiciet e klubeve, të cilat investojnë me qëllimin për t’u ngjitur në kategorinë superiore. Ata kërkojnë që në ndeshjet kyçe të ketë standard më të lartë arbitrimi ose të aplikohet teknologjia e VAR-it, për të shmangur gabimet që vendosin ndeshje.

Pavarësisht gjithçkaje, barazimi i katërt radhazi për Lushnjën lë shumë pikëpyetje dhe pak kënaqësi, ndërsa trajnerët dhe drejtuesit kërkojnë më shumë qartësi dhe drejtësi në gjykim.

Ndaj Postimin: