Një gjyqtar federal urdhëron Google të heqë dorë nga marrëveshjet ekskluzive dhe të ndajë të dhëna kyçe me rivalët, për të frenuar sjelljen monopoliste.
Gjykata Federale e SHBA ka vendosur masa të reja për Google, duke e detyruar të ndryshojë praktikat e saj të biznesit pas akuzave për sjellje monopoliste. Vendimi paraprak i gjyqtarit Amit P. Mehta ndalon kompaninë të nënshkruajë ose të mbajë marrëveshje ekskluzive që lidhin shpërndarjen e produkteve si Search, Chrome, Google Assistant apo Gemini me aplikacione të tjera ose marrëveshje fitimi.
Sipas urdhrit, Google nuk mund të kushtëzojë licencimin e Play Store me shpërndarjen e aplikacioneve të caktuara dhe as të lidhë pagesat nga ndarja e të ardhurave me detyrimin për të ruajtur aplikacione të caktuara në pajisje. Po ashtu, kompania duhet të ndajë një pjesë të të dhënave nga indeksi i kërkimeve dhe ndërveprimet e përdoruesve me “konkurrentë të kualifikuar” dhe t’u ofrojë atyre shërbime kërkimi dhe reklama me tarifa standarde.
Mehta nuk ka dhënë ende vendimin përfundimtar, por ka kërkuar që Google dhe Departamenti i Drejtësisë të paraqesin një version të rishikuar deri më 10 shtator. Vendimi i plotë do të mbikëqyret nga një komitet teknik për gjashtë vjet dhe do të hyjë në fuqi 60 ditë pas miratimit.
Ky hap vjen një vit pasi gjykata vendosi se Google kishte shkelur ligjin për të ruajtur monopolin në kërkimet online. Departamenti i Drejtësisë kishte kërkuar masa më të ashpra, përfshirë ndarjen e shfletuesit Chrome dhe ndoshta Android, si dhe ndërprerjen e marrëveshjeve me kompani si Apple e Samsung.
Apple reagoi pozitivisht në bursë pas lajmit, pasi mund të ruajë marrëveshjen fitimprurëse me Google. Vetëm në vitin 2021, Google shpenzoi mbi 26 miliardë dollarë për të siguruar pozicionin e motorit të tij si kërkim parazgjedhur, ku rreth 18 miliardë iu dhanë Apple.
Gjatë procesit, gjyqtari theksoi se shumica e përdoruesve nuk ndryshojnë opsionet e paracaktuara, duke e bërë këtë “hapësirë shumë të vlefshme” dhe një pengesë serioze për rivalët. DOJ kishte kërkuar që Google të detyrohej të ndante më shumë të dhëna, përfshirë algoritmet e renditjes, por gjykata nuk pranoi një masë kaq të gjerë.
CEO i Google, Sundar Pichai, ka paralajmëruar se detyrimi për të ndarë të dhënat do të ishte “një divizion de facto” i shërbimit të kërkimit, duke rrezikuar inovacionin dhe privatësinë. Mehta u orientua pjesërisht nga modeli evropian i Aktit të Tregjeve Digjitale, por vendimi amerikan është më i kufizuar dhe i përkohshëm.
Ky proces mund të ndikojë edhe në gjyqin tjetër antitrust që Google po përballet për teknologjinë e reklamave. Vendimi për këtë çështje pritet të merret në fund të shtatorit dhe mund të përfshijë masa më të ashpra, përfshirë ndarjen e disa segmenteve të biznesit.
Ekspertët e konkurrencës paralajmërojnë se kjo betejë ligjore nuk do të mbyllet shpejt, me mundësinë e apelimit dhe çështjes në Gjykatën e Lartë, që mund të zgjasë deri në vitin 2028.