Gjykata Penale e Tiranës ka vendosur lirimin e katër protestuesve të ndaluar pas demonstratës së zhvilluar të hënën, më 22 dhjetor, përpara Kryeministrisë, ku u shënuan akte dhune dhe hedhje të lëndëve djegëse.
Në seancën e mbajtur këtë të martë, trupi gjykues e ka cilësuar të paligjshëm arrestimin e katër demonstruesve, duke vendosur lirimin e tyre. Seanca u ndoq nga deputetë të Partisë Demokratike, mes tyre Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Bledjon Nallbati.
Pas vendimit të gjykatës, deputeti i PD-së Flamur Noka deklaroi se protestat e nisura më 22 dhjetor do të vijojnë, duke kërkuar krijimin e një qeverie teknike. Ai u shpreh se opozita do të vazhdojë aksionin e saj politik, duke e konsideruar këtë vendim si një mbështetje për kauzën e saj.
Protesta e së hënës u shoqërua me përplasje mes disa demonstruesve dhe forcave të rendit, si dhe me dëmtimin e punonjësve të Policisë. Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet për ngjarjet e ndodhura gjatë tubimit vijojnë.