Një muaj pas arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta për akuza të korrupsionit dhe pastrimit të parave, Gjykata e Posaçme vendosi në nëntor 2024 sekuestrimin preventiv të dy vilave në zonën rezidenciale “Kodra e Diellit” në Tiranë, në pronësi të Monika Kryemadhit dhe nënës së saj, Fatime Kryemadhi.
Vendimi i shkallës së parë u bazua në nenin 36 të Kodit Penal, i cili parashikon sekuestrimin e pasurive që rrjedhin drejtpërdrejt ose tërthorazi nga kryerja e veprës penale, apo të pasurive me vlerë të barabartë me produktin e veprës penale.
Në dhjetor 2024, Gjykata e Posaçme e Apelit ndryshoi pjesërisht vendimin, duke çliruar nga sekuestroja vilën në pronësi të Fatime Kryemadhit, ndërsa vendimi u la më pas në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë.
Sipas arsyetimit të Apelit, dy vilat janë përfituar përmes kontratave të shkëmbimit me një shoqëri ndërtimi që ka zhvilluar truallin në pronësi të Kryemadhëve, duke u vlerësuar si pasuri me burim të ligjshëm. Për këtë arsye, gjykata u fokusua në konceptin e sekuestrimit ekuivalent, që synon bllokimin e një vlere të barabartë me produktin e veprës penale.
Gjykata vlerësoi se Fatime Kryemadhi dyshohet të ketë ndihmuar në pastrimin e parave përmes investimit të 846 mijë eurove në blerjen e apartamenteve për llogari të Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës, të cilat më pas janë shitur. Megjithatë, në mungesë të provave për përfitim apo avantazh ekonomik personal, u konkludua se sekuestrimi ekuivalent mbi pasurinë e saj nuk ishte i përshtatshëm.
Në përfundim, u la në fuqi sekuestrimi i vilës në pronësi të Monika Kryemadhit, ndërsa u hoq masa e sekuestrimit për banesën e Fatime Kryemadhit.