Gjykata e Posaçme ka përfunduar procesin e rivlerësimit të masave të sigurisë ndaj gjashtë personave të hetuar për shkelje në tenderat e AKSHI-t, duke lënë në fuqi arrestin shtëpiak për drejtoreshën e përgjithshme, Mirlinda Karçanaj. Ajo akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, e kryer në bashkëpunim në kuadër të një grupi kriminal.
E njëjta masë sigurie u konfirmua edhe për zëvendësdrejtoreshën Hava Delibashi, ndaj së cilës rëndojnë të njëjtat akuza. Ndërkohë, për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erjon Ismailaj, Gjykata ndryshoi qëndrim duke i hequr ndalimin për të dalë jashtë vendit, por duke e lënë pezullimin nga detyra në fuqi.
Në të njëjtin vendim, Gjykata la të pandryshuara masat edhe për tre biznesmenë të përfshirë në dosje, të cilët akuzohen gjithashtu për pastrim parash. Vendimet pasojnë një hetim gati njëvjeçar të prokurorit të posaçëm Bledar Maksuti, i cili pretendon se ka zbuluar një grup kriminal që ndikonte në përzgjedhjen e fituesve të tenderave në AKSHI.
Sipas hetimeve, të dyshuarit u kanë kërkuar operatorëve ekonomikë të heqin dorë nga ankimet për procedurat e tenderimit, duke i hapur rrugë kompanive të paracaktuara. Në një episod të rëndë të dokumentuar nga SPAK, një biznesmen raporton se është rrëmbyer dhe kërcënuar nga persona të veshur me jelekë me logo false të BKH-së dhe me një automjet me logo policie, për t’u detyruar të mos denonconte parregullsitë në tendera.
Prokurori Maksuti gjithashtu thekson se disa administratorë kompanish kanë marrë pjesë formalisht në procedura tenderimi, duke lëshuar fatura fiktive dhe duke kryer transaksione të paligjshme, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, për të manipuluar garat dhe për të favorizuar fitues të caktuar. Hetimet vijojnë për zbardhjen e rolit të plotë të secilit prej të dyshuarve.


