Gjykata Kushtetuese është mbledhur prej orës 11:00 të ditës së sotme për një çështje që lidhet me zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Edhe pse nuk ka një njoftim zyrtar mbi rendin e ditës, burime pranë procesit bëjnë me dije se gjyqtarët kushtetues po shqyrtojnë vendimmarrjen që lidhet drejtpërdrejt me rastin e saj.
Mbledhja vjen pas ankimit të paraqitur nga Këshilli i Ministrave, lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila, me kërkesë të SPAK, kishte vendosur pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut. Ky vendim ishte marrë në kuadër të hetimeve për dyshime mbi abuzime në tenderin e Tunelit të Llogarasë, me vlerë rreth 190 milionë euro.
Kryeministri Edi Rama e kundërshtoi publikisht vendimin e GJKKO-së, duke argumentuar se pezullimi nga detyra i një anëtari të qeverisë përbën tejkalim të kompetencave dhe cenim të pushtetit ekzekutiv. Sipas tij, vetëm kryeministri ka të drejtën kushtetuese për të pezulluar ose shkarkuar një ministër apo zëvendëskryeministër.
Pas këtij ankimi, Gjykata Kushtetuese vendosi rikthimin e përkohshëm në detyrë të Ballukut, deri në shqyrtimin në themel të çështjes. Sot, gjyqtarët kushtetues pritet të vendosin nëse masa e pezullimit nga detyra ishte e ligjshme apo nëse ajo ka shkelur ndarjen kushtetuese të pushteteve.
Ndërkohë, SPAK ka deklaruar se Balluku, duke qenë në funksion, mund të rrezikojë integritetin e hetimit, përfshirë prishjen e provave apo ndikimin te dëshmitarët. Përveç çështjes së Tunelit të Llogarasë, ajo është nën hetim edhe për disa procedura të tjera prokurimi që lidhen me projektet infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e segmenteve të Unazës së Madhe.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet me interes të lartë politik dhe institucional, pasi do të përcaktojë jo vetëm fatin e zëvendëskryeministres Balluku, por edhe kufijtë mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv në raste të ngjashme.