Gjykata federale ndalon pezullimin e studentëve të huaj në Harvard nga administrata Trump

Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara ka bllokuar përkohësisht përpjekjen e administratës Trump për të ndaluar regjistrimin e studentëve të huaj në Harvard, një veprim që universiteti e cilësoi si hakmarrje të papranueshme ndaj pavarësisë së institucionit dhe të drejtat kushtetuese të tij.

Kjo vendimmarrje u shpall pak orë pasi Harvardi kishte paditur qeverinë amerikane, duke argumentuar se masat do të preknin menjëherë dhe rëndë mbi 7,000 studentë ndërkombëtarë që studiojnë në këtë universitet.

Vendimi i gjyqtares së Distriktit të Massachusetts, Allison Burroughs, vendos në pritje sanksionet ndaj Harvardit deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Universiteti, në padinë e depozituar në Boston, theksoi se pa praninë e studentëve të huaj, misioni dhe cilësia e Harvardit do të dëmtoheshin rëndë, duke humbur pothuajse një të katërtën e trupës studentore.

Kriza shpërtheu vetëm pak ditë para ceremonisë së diplomimit, duke shkaktuar kaos në të gjithë kampusin. Studentët ndërkombëtarë, të cilët janë të angazhuar në laboratorë, japin mësim, ndihmojnë profesorët dhe përfaqësojnë universitetin në aktivitete sportive, tashmë përballen me zgjedhjen mes largimit nga SHBA ose humbjes së statusit të tyre ligjor.

Për Harvard Kennedy School, ku afro gjysma e studentëve vijnë nga jashtë, dhe Harvard Business School, ku një e treta janë të huaj, ndikimi pritet të jetë edhe më i madh. Përveç studentëve aktualë, mijëra të tjerë që kishin planifikuar të nisnin studimet në verë ose vjeshtë do të mbeteshin jashtë sistemit akademik amerikan.

Padia thekson se këto masa vënë Harvardin në disavantazh në garën ndërkombëtare për studentët më të mirë. Edhe nëse universiteti do të mund të rifitonte të drejtën për të pritur studentë të huaj, kandidatë të ardhshëm mund të tërhiqen nga frika e ndërhyrjeve të reja nga qeveria amerikane.

Në rast se sanksionet do të qëndrojnë në fuqi, Harvard paralajmëron se nuk do të mund të ofrojë pranime për studentët e rinj ndërkombëtarë për të paktën dy vite akademike. Një institucion që i hiqet çertifikimi nga qeveria federale, sipas ligjit amerikan, nuk mund të aplikojë sërish për një vit të plotë pas ndëshkimit.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare, në një deklaratë, akuzoi Harvardin se ka krijuar një ambient të pasigurt në kampus duke toleruar “agjitatorë anti-amerikanë dhe pro-terroristë”, madje pretendoi për bashkëpunim me Partinë Komuniste të Kinës, duke iu referuar aktiviteteve të supozuara me grupe paramilitare kineze.

Presidenti i Harvardit, Alan Garber, theksoi se universiteti ka bërë ndryshime thelbësore në drejtim të qeverisjes dhe luftës kundër antisemitizmit, por ka deklaruar se nuk do të heqë dorë nga parimet e saj thelbësore përballë presioneve politike. Ndërkohë, ish-presidenti i Harvardit, Lawrence Summers, e cilësoi veprimin e administratës si të rrezikshëm dhe të pakuptimtë për të ardhmen e SHBA.

Në përfundim, çështja e studentëve të huaj në Harvard mbetet e hapur dhe do të vendoset në gjykatë, ndërsa pasojat për arsimin amerikan dhe reputacionin ndërkombëtar të Harvardit pritet të jenë të ndjeshme për një kohë të gjatë.

Ndaj Postimin: