Gjykata e Strasburgut merr në prioritet çështjen e Sali Berishës

Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj, deklaroi sot për mediat se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (Gjykata e Strasburgut) ka klasifikuar çështjen e Berishës si një prioritet dhe tashmë ka nisur procedurat e debatit.

Deklarata erdhi pas shtyrjes së seancës paraprake në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Sipas Gjokutajt, Strasburgu ka adresuar një sërë pyetjesh shtetit shqiptar, duke vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e procesit që përfshin arrestin shtëpiak të Berishës dhe detyrimin për paraqitje, si dhe pasojat e këtyre masave, përfshirë ndërprerjen e aktivitetit të tij si lider i opozitës dhe deputet.

“Gjykata e Strasburgut ka kaluar çështjen në fazën e debatit, pa pritur përfundimin e shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese. Ky është një zhvillim i paprecedent dhe tregon rëndësinë që i jepet kësaj çështjeje,” tha Gjokutaj.

Avokati shtoi se të gjitha ankimet për procesin ligjor të parregullt janë paraqitur dhe Gjykata e Strasburgut po lëviz me shpejtësi për t’i adresuar. “Vetë ky ritëm i shpejtë është i paprecedent dhe tregon urgjencën që Strasburgu i jep këtij rasti,” tha ai.

Gjokutaj theksoi se mbrojtja ka paraqitur një kërkesë të re për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, duke e cilësuar këtë një “refren” që do të përsëritet në çdo seancë derisa të zgjidhet. “Kërkesa për përjashtim është bërë në mënyrë të përsëritur, dhe ne do të vazhdojmë ta shtyjmë këtë çështje deri në zgjidhje,” shtoi ai.

Lidhur me çështjen në GJKKO, Gjokutaj nënvizoi se do të presin të gjitha dokumentet dhe përgjigjet e ardhura nga Strasburgu përpara se të ndërmarrin hapa të tjerë. “Ne do të ndjekim çdo seancë dhe do t’i drejtohemi Strasburgut për të mbrojtur të drejtat e klientit tonë,” përfundoi avokati.

Ky zhvillim pason vendimin për shtyrjen e shqyrtimit në GJKKO, ku Berisha dhe disa të pandehur të tjerë përballen me akuza për korrupsion dhe shkelje të rënda ligjore. Tashmë, me përfshirjen e Gjykatës së Strasburgut, çështja merr përmasa ndërkombëtare dhe vendos nën vëzhgim të rreptë sistemin e drejtësisë shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera