Gjykata e Posaçme ka pranuar gjykimin e shkurtuar për disa të pandehur të lidhur me një grup kriminal që dyshohet për trafik droge dhe aktivitete të tjera kriminale.
Ishin të pandehurit Ismail Zeneli, Bujar Ajeti, Besmir Murtati, Adrian Cenaj, Albert Prenga dhe Dedan Gjoni, të cilët kërkuan dhe morën miratimin e gjykatës për të përfituar nga ky proces i shkurtuar.
Ndërkohë, çështja e dy të tjerëve, Erzen Breçani dhe Jonida Babameto, u nda nga ky proces. Gazetarja Klodiana Lala raporton se gjykata vendosi që këta të dy të gjykohen në një procedurë të zakonshme. Për këtë arsye, dosja ndaj ish-zëvendës Drejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, dhe ish-efektives Jonida Babameto, u dërgua për gjykim në Gjykatën e Tiranës.
Erzen Breçani, ish-funksionar i lartë i Policisë së Shtetit, akuzohet për pastrim parash dhe mbështetje për krimin, në veçanti për lidhje me Nuredin Dumanin, një emër i njohur si vrasës me pagesë. Ndërsa Dedan Gjoni, ish-shefi i Komisariatit të Shijakut, akuzohet si pjesë e një grupi kriminal që operonte në Shqipëri dhe jashtë saj. Gjoni është arrestuar nga SPAK dhe dyshohet të jetë përfshirë edhe në një tentativë vrasje.
Sipas hetimeve të SPAK, Dedan Gjoni kishte bashkëpunuar me një grup të strukturuar kriminal të udhëhequr nga Kep Arapi, për të realizuar një vrasje. Ngjarja lidhet me një atentat ndaj Xhevdet Plakut, të cilin Gjoni e kishte koordinuar nga Komisariati i Shijakut. Hetimet kanë zbuluar se urdhri për vrasjen kishte ardhur nga Holanda dhe Gjoni kishte pasur një rol aktiv në organizimin e krimit. Fatmirësisht, tentativa për vrasje dështoi.
Grupi kriminal u zbulua pas një operacioni të gjerë, që filloi në nëntor të vitit të kaluar, bazuar në informacionet e marra nga aplikacioni i sigurtë SKY ECC. Ky aplikacion, që përdorej nga anëtarët e grupit për komunikime të sigurta, u përdor nga prokuroria për të mbledhur prova të forta për akuzat kundër tyre. Grupi dyshohet se ka trafikuar kokaine nga Amerika Latine në Europë dhe ka qenë i përfshirë në ngjarje kriminale të ndryshme në Shqipëri.