Gjykata e Posaçme lë në burg 6 persona pas aksionit të SPAK ndaj call-centerave në Tiranë

Gjykata e Posaçme ka caktuar masat e sigurisë për tetë persona të arrestuar pas aksionit të SPAK kundër disa call-centerave në Tiranë, të dyshuar për mashtrime ndaj shtetasve italianë dhe europianë përmes investimeve të rreme në kriptomonedha.

Sipas vendimit të dhënë sot, gjashtë prej të arrestuarve janë lënë në masën e sigurisë “arrest me burg”. Për dy të pandehur, Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi, masa e arrestit me burg është caktuar me afat 20-ditor. Në masën “arrest me burg” janë lënë gjithashtu Remir Gjoligaj, Endri Gjata, David Qerimi dhe Elis Merkaj. Ndërkohë, Hysen Xhepexhiu dhe Klaudio Kaçupi rezultojnë po ashtu nën masën e arrestit me burg.

Nga veprimet e para hetimore të Byrosë Kombëtare të Hetimit ka rezultuar se organizatorët e kësaj veprimtarie kishin ndërtuar një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës. Përveç kamerave statike të vëzhgimit, ata përdornin edhe personel civil për monitorimin e zonës përreth qendrave të thirrjeve.

Hetimet tregojnë se, pasi dyshuan se ishin nën vëzhgim nga autoritetet, mbrëmjen e 15 janarit, personat e përfshirë boshatisën qendrën e thirrjeve në një kullë në rrugën “Ibrahim Rugova”, përballë Katedrales Ortodokse, duke asgjësuar edhe materiale të ndryshme. Brenda pak orësh, aktiviteti u zhvendos në një godinë tjetër në Bulevardin “Bajram Curri”, ku punonjësit u arrestuan në flagrancë, pasi kishin transportuar gjatë natës materialet e nevojshme për vijimin e aktivitetit.

Hetimet për këtë çështje po vijojnë nga SPAK, ndërsa autoritetet po dokumentojnë të gjithë veprimtarinë e dyshuar kriminale dhe rolin e secilit person të përfshirë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033