Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, deklaroi gjatë prezantimit të programit për konkursin ndërkombëtar të Polit të ri të Drejtësisë se Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese duhet të kenë godina të veçanta nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm.
Sadushi theksoi se ndarja fizike e këtyre institucioneve nuk është çështje privilegji, por e rolit që ato kanë në sistemin shtetëror dhe në imazhin e vendit, veçanërisht në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian.
“Gjykata e Lartë duhet të jetë një godinë e veçuar. Në asnjë vend të BE, Gjykata e Lartë nuk është e përfshirë me gjykatat e juridiksionit të zakonshëm. Jo për luks, por për shkak të funksionit që ka dhe seriozitetit që i jepet shtetit. Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese duhet të jenë gjykata të veçanta”, u shpreh ai.
Në përgjigje, Kryeministri Edi Rama tha se çështja është parashikuar në projekt, por nuk është përcaktuar përfundimisht dhe do të mbetet për diskutim.
“Kemi kaluar edhe lejen e ndërtimit për një godinë administrative që presupozohet të jetë Gjykata e Lartë. Në plan është një alternativë që ajo të jetë aty, por është diçka që duhet diskutuar. Po ta marrim edhe nga pikëpamja financiare, nuk do të shpenzojmë asnjë lek, sepse marrim mbrapsht hapësira për Gjykatën e Lartë. Është një gjë që do ta diskutojmë dhe do të bëjmë gjënë e duhur”, deklaroi Rama.
Debati mbetet i hapur mbi formën përfundimtare të organizimit fizik të institucioneve më të larta të drejtësisë në kuadër të projektit të ri.