Gjykata e Lartë refuzon kërkesën e Ajola Xoxës për heqjen e sekuestros ndaj pronës në Qerret

Vendimi i Gjykatës së Lartë lë në fuqi sekuestron ndaj pronës së Ajola Xoxës, duke rrëzuar rekursin e saj dhe të dy shoqërive të përfshira

Gjykata e Lartë ka vendosur të mos pranojë rekursin e paraqitur nga Ajola Xoxa, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sekuestrimin e një pasurie në Qerret.

Sipas vendimit të bërë publik, rekursi ishte depozituar nga vetë Ajola Xoxa dhe dy shoqëri të lidhura me të – “Partners Law” sh.p.k. dhe “Ava Studio” sh.p.k. Megjithatë, trupa gjykuese ka konkluduar se nuk ekzistojnë bazat ligjore për të shqyrtuar kërkesën e tyre.

Vendimi i Gjykatës së Lartë mban numrin 12 (87-2025-84), i datës 13 mars 2025. Në dokument thuhet se rekursi nuk përmbushte kushtet ligjore për tu shqyrtuar në këtë fazë dhe për rrjedhojë është refuzuar përfundimisht.

Ajola Xoxa është nën hetim për disa vepra penale, përfshirë “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, vepër e kryer në bashkëpunim në nëntë raste. Ajo akuzohet gjithashtu për “pastrim të produkteve të veprës penale” dhe “mosdeklarim ose deklarim të rremë të pasurisë”.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar sekuestrimin e pasurisë në Qerret si pjesë e hetimeve për burimin e të ardhurave të dyshuara, të cilat nuk përputhen me deklarimet zyrtare të bëra nga subjektet e përfshira.

Kërkesa për heqjen e sekuestrimit ishte një përpjekje për të rikthyer kontrollin mbi pronën, por me vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, procedurat ligjore ndaj Xoxës dhe bashkëpunëtorëve të saj do të vijojnë pa ndërprerje.

Aktualisht, hetimi për Xoxën dhe për shoqëritë e përfshira po vazhdon, ndërsa autoritetet janë të angazhuara në shqyrtimin e dokumentacionit financiar dhe pasuror që lidhet me aktivitetin e saj dhe të të tjerëve të përfshirë në dosje.

Ndaj Postimin: