Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, duke vendosur pushimin e çështjes penale ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Muhamed Rrumbullaku.
Vendimi u mor pasi SPAK vlerësoi se gjatë hetimit nuk u siguruan prova apo indicie që të mbështesnin vijimin e procedimit penal, duke kërkuar zyrtarisht mbylljen e çështjes. Kjo kërkesë u shqyrtua dhe u pranua nga GJKKO.
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë ishte pyetur në nëntor të vitit 2025 në Prokurorinë e Posaçme në cilësinë e personit në dijeni, në kuadër të një hetimi që lidhej me transferimet e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Me këtë vendim, çështja ndaj Muhamed Rrumbullakut konsiderohet e përfunduar në aspektin penal.