GJKKO konfiskon 33.815 m² tokë dhe dy apartamente në Lezhë, pasuritë kalojnë në pronësi të shtetit

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur konfiskimin e nëntë pasurive të paluajtshme në qarkun e Lezhës, të cilat dyshohen se janë përfituar nga veprimtari kriminale. Pasuritë e konfiskuara përfshijnë shtatë sipërfaqe toke dhe dy apartamente të ndodhura në Shëngjin, Ishull Shëngjin dhe Ishull Lezhë, me një sipërfaqe totale prej 33.815 m².

Menjëherë pas vendimit të Apelit të GJKKO-së, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, ekzekutuan urdhrin duke kaluar zyrtarisht në administrim shtetëror të nëntë pasuritë.

Gjatë dy muajve të fundit, në qarkun e Lezhës janë sekuestruar gjithsej 29 pasuri me sipërfaqe rreth 132.322 m². Deri tani nuk është bërë publik identiteti i personit apo personave që zotëronin këto pronë, as edhe lloji i veprimtarisë kriminale nga e cila dyshohet se kanë përfituar.

Me vendimin e fundit, sipërfaqet e tokës dhe apartamentet e konfiskuara i kalojnë përfundimisht shtetit shqiptar.

Ndaj Postimin: