Gjimshiti shkëlqen, por Atalanta ndalohet sërish në kampionat

Berat Gjimshiti bëri një paraqitje të shkëlqyer, por Atalanta nuk arriti të sigurojë fitoren në sfidën kundër Torinos, duke u ndalur në një barazim 1-1.

Bergamaskët nuk përfituan nga kalendari i vështirë i kësaj jave për rivalët kryesorë, duke humbur terren në luftën për kreun e renditjes.

Ndeshja nisi me intensitet për Atalantën, e cila gjeti rrjetën në minutën e 21-të me Bellanovën, por goli u anulua pas rishikimit të VAR-it për një prekje të topit me dorë. Përpjekjet e vendasve vijuan dhe dhjetë minuta para fundit të pjesës së parë ishte Berat Gjimshiti ai që zhbllokoi sfidën. Mbrojtësi shqiptar realizoi me kokë pas një harkimi nga këndorja, duke shënuar golin e tij të parë këtë sezon në kampionat.

Megjithatë, avantazhi nuk zgjati shumë, pasi Torino reagoi shpejt. Vetëm pak minuta më vonë, një goditje dënimi u shfrytëzua në mënyrë perfekte nga Maripan, i cili me një goditje me kokë mposhti portierin e Atalantës, duke rikthyer baraspeshën në rezultat.

Në pjesën e dytë, ekipi i Gian Piero Gasperinit u përpoq të gjejë golin e fitores, por pa sukses. Rasti më i mirë për vendasit erdhi nga pika e bardhë e penalltisë, ku Retegui nuk arriti të mposhtte portierin e Torinos, Milinkoviç-Saviç, duke humbur një mundësi të artë për tri pikët. Ky ishte barazimi i tretë për Atalantën në pesë ndeshjet e fundit, një rezultat që ndikon negativisht në synimet e ekipit për të konkurruar për titullin kampion.

Pavarësisht rezultatit, Berat Gjimshiti u vlerësua maksimalisht për paraqitjen e tij. Përveç golit të shënuar, ai tregoi siguri dhe liderizëm në mbrojtje, duke fituar vlerësime të larta nga mediat sportive. Mbrojtësi shqiptar u cilësua si një nga lojtarët më të mirë në fushë dhe u notua me 7 për performancën e tij.

Në sfidat e tjera të kampionatit, Bologna siguroi një fitore të rëndësishme 2-0 ndaj Comos. Golat e De Silvestrit dhe Fabbian i dhuruan tre pikë skuadrës, e cila tani ngjitet në vendin e gjashtë të renditjes me 37 pikë, duke vazhduar rrugëtimin e saj drejt zonës europiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera