Gjermania voton rikthimin e shërbimit ushtarak vullnetar për 18-vjeçarët

Parlamenti gjerman, Bundestagu, ka miratuar rikthimin e shërbimit ushtarak vullnetar, në përpjekje për të forcuar mbrojtjen kombëtare pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Vendimi përbën një ndryshim të rëndësishëm në qasjen e Gjermanisë ndaj ushtrisë dhe vjen pas angazhimit të kancelarit Friedrich Merz për të ndërtuar ushtrinë konvencionale më të fuqishme në Evropë.

Sipas ligjit të ri, të gjithë të rinjtë 18-vjeçarë në Gjermani do të marrin një formular nga janari i vitit 2026, ku do të pyeten nëse janë të interesuar të shërbejnë në forcat e armatosura. Formulari do të jetë i detyrueshëm për meshkujt dhe me pjesëmarrje vullnetare për femrat.

Nisma ka ngjallur kundërshtime të gjera në radhët e të rinjve. Nxënës nga shkolla të ndryshme në mbarë vendin kanë paralajmëruar greva në rreth 90 qytete për të protestuar kundër ligjit. Organizatorët e protestave, në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, theksojnë se të rinjtë nuk duan të kalojnë muaj të tërë “të izoluar në kazermë, duke mësuar disiplinë ushtarake dhe përdorimin e armëve”. Ata shtojnë se lufta “nuk ofron asnjë perspektivë për të ardhmen dhe shkatërron jetët e njerëzve”.

Vetëm në Hamburg pritet të dalin në protestë rreth 1,500 persona, ndërsa drejtorët e shkollave u kanë bërë thirrje prindërve të mos i lejojnë fëmijët të mungojnë nga mësimi për këtë arsye. Edhe pranë Bundestagut është zhvilluar një protestë e vogël, ku aktivistët mbanin pankarta kundër shërbimit ushtarak.

Ligji u miratua me 323 vota pro dhe 272 kundër, duke e bërë Gjermaninë vendin më të fundit europian që rikthen një formë të rishikuar shërbimi ushtarak. Muajin e kaluar, Franca njoftoi se do të aplikojë një program vullnetar 10-mujor trajnimi ushtarak për 18 dhe 19-vjeçarët.

Qeveria gjermane nënvizon se shërbimi do të mbetet vullnetar sa kohë të jetë e mundur. Megjithatë, nga korriku i vitit 2027, të gjithë meshkujt 18-vjeçarë do t’i nënshtrohen kontrollit mjekësor për të vlerësuar aftësinë e tyre për shërbim të mundshëm. Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se ekzaminimet janë të domosdoshme për të mos humbur kohë në rast agresioni, me qëllim identifikimin e atyre që janë të aftë për të shërbyer si “mbrojtës të vendit”.

Aktualisht, ushtria gjermane (Bundeswehr) ka rreth 182,000 trupa. Pistorius synon që ky numër të rritet me 20,000 ushtarë brenda një viti. Objektivi afatgjatë është që deri në fillim të viteve 2030, ushtria të arrijë në 260,000 trupa aktive dhe të mbështetet nga rreth 200,000 rezervistë, në përputhje me objektivat e rinj të NATO-s.

Edhe pse formalisht shërbimi mbetet vullnetar, autoritetet gjermane kanë lënë të hapur mundësinë e rikthimit të detyrimit ushtarak nëse situata e sigurisë përkeqësohet ose nëse numri i vullnetarëve rezulton i pamjaftueshëm. Në një skenar lufte, ushtria do të përdorë të dhënat e mbledhura nga formularët dhe kontrollimet mjekësore për rekrutët potencialë.

Ashtu si shumë vende të tjera europiane, edhe Gjermania e uli numrin e trupave pas Luftës së Ftohtë. Në atë periudhë, vendi kishte pothuajse gjysmë milioni ushtarë. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak u anulua në vitin 2011 gjatë qeverisjes së Angela Merkel.

Megjithatë, shqetësimet për sigurinë e kontinentit përballë Rusisë dhe presioni i përsëritur nga Shtetet e Bashkuara kanë ndikuar në vendimin për forcimin e Bundeswehr-it. Administrata amerikane e presidentit Donald Trump ka kërkuar vazhdimisht nga vendet e NATO-s rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen.

Për të nxitur interesin e të rinjve, Gjermania ka vendosur paga të konsiderueshme për shërbimin vullnetar, rreth 2,600 euro në muaj. Në Francë, pagesa minimale për pjesëmarrësit është 800 euro në muaj.

Në të njëjtën ditë, Bundestagu pritej të votonte edhe reformën e pensioneve, një prej ligjeve më të debatueshme, që do të garantojë nivelin aktual të pensioneve deri në vitin 2031. Reforma është pjesë kyçe e marrëveshjes së koalicionit mes konservatorëve të Merz-it dhe socialdemokratëve, të cilët kanë një shumicë shumë të ngushtë vetëm 12 vota. Disa deputetë të rinj konservatorë ishin shprehur të gatshëm të rebelojnë, duke e cilësuar reformën financiarisht të papërballueshme për gjeneratat e reja.

Megjithatë, partia e majtë Die Linke ka paralajmëruar se do të abstenojë në votim, duke e ulur numrin e votave të nevojshme për miratimin e ligjit dhe duke shmangur një krizë qeveritare.

Ndaj Postimin: