Federata Gjermane e Futbollit po shtyn drejt vendosjes së kompensimeve financiare për lojtarët që ndryshojnë kombëtare, një vendim që mund të prekë edhe Shqipërinë në afrimet e saj të ardhshme.
Federata Gjermane e Futbollit po shqyrton idenë që ndërrimi i kombëtareve të mos jetë më një proces i lirë. Sipas kësaj nisme, një lojtar që është formuar për vite të tëra nga një federatë apo akademi mund të detyrohet të ketë një kosto financiare nëse zgjedh të përfaqësojë një shtet tjetër.
Drejtori i FGF-së, Andreas Reting, ka bërë të qartë se synimi i tyre është që FIFA të konsiderojë vendosjen e kompensimit, duke argumentuar se klubet dhe federatat investojnë në zhvillimin e talentit dhe nuk është logjike që kjo punë të mos shpërblehet. Ai theksoi se kalimi i një lojtari nga një përfaqësuese në një tjetër nuk duhet të ndodhë pa marrë në konsideratë kontributin e asaj që e ka formuar.
“Është e pakuptimtë që një lojtar i trajnuar për pesë vite nga një klub dhe një federatë partnere të kalojë te një kombëtare tjetër pa asnjë lloj kompensimi. Është e drejtë që ky proces të sjellë përfitim për të dyja palët”, u shpreh Reting, duke nënvizuar se trajnimi është investim dhe jo vetëm detyrim teknik.
Nëse ky propozim i Gjermanisë arrin të marrë mbështetje në FIFA, federatat e tjera do të preken drejtpërdrejt. Shqipëria është një prej tyre, pasi prej kohësh ndjek aktivisht talentet shqiptare të lindur ose rritur jashtë vendit, sidomos ata që kanë luajtur për grupmoshat e kombëtareve të huaja.
FSHF monitoron prej muajsh emra si Nelson Vaiper, Brajan Gruda dhe Arijon Ibrahimoviç, të cilët konsiderohen profile të rëndësishme për të ardhmen e skuadrës kuqezi. Nëse rregulli i ri miratohet, federata shqiptare mund të detyrohet të paguajë për të siguruar shërbimet e tyre te përfaqësuesja.
Kjo situatë i shton urgjencë procesit të kontaktimit të lojtarëve dhe bindjes së tyre për të veshur fanellën kuqezi sa më shpejt, përpara se rregullorja e re të shndërrohet në detyrim financiar dhe të vështirësojë manovrat sportive dhe strategjike të FSHF-së.


